Ilir Meta i dha një “shah” të fortë Edi Ramës sot. Duke folur me gjuhën e sportit dhe në shinat e ligjshmërisë, për aq sa mund të vlejë kjo fjalë në këtë vend nga 10 qershori e këtej. 17 ditë pasi rrëzoi me dekret 30 qershorin si datë e zgjedhjeve, Presidenti i Republikës u ka dhënë sot shqiptarëve një datë të re, përmes një dekreti, një tjetër datë. Pak a shumë 3 muaj e gjysëm nga dita e sotme. Para këtij dekreti, Meta ka zhvilluar disa takime me drejtues të partive politike, të ambasadave dhe përfaqësuesve të organizatave partnere të vendit tonë. Ditën e sotme, pak orë pasi e kishte ndarë mendjen për një dekret të ri, kërkoi takim me liderin e mazhorancës dhe atë të opozitës, dy figurat kryesore politike në vend. Rama i refuzoi takimin, ndërsa Basha qëndroi vetëm 20 minuta përballë Presidentit, kohë që sipas gjasave ka mjaftuar për ta vënë në dijeni për dekretin e ri për 13 tetorin si datë e zgjedhjeve vendore.
Nga sot, votuesit e Shqipërisë kanë dy data: 30 qershorin për mazhorancën dhe 13 tetorin për Presidentin dhe pjesën tjetër. Të dy palët, në mungesën e stëpermendur të Gjykatës Kushtetuese, kanë të drejtë ti japin të drejtë vetes. Kështu që, mazhoranca marshon e vetme, e vendosur drejt 30 qershorit ndërsa opozita nga sot, mund të nisë përgatitjet për zgjedhje me 13 tetor, duke shpresuar ti vihet pas edhe mazhoranca. Nuk është aspak çudi, që në të paktën 28 bashki me kryetarë aktualë të zgjedhur si përfaqësues të opozitës, andej nga 15 korriku, të paraqiten për të marrë pushtetin vendor po kaq kryebashkiakë dhe qindra këshilltarë të rinj për të bërë konstituimin. Edhe atëherë, dy palët do të jenë në të drejtën e tyre, me logjikën që thamë më sipër. Pa shkuar tek një batutë e njohur e filmave shqiptarë “E pra këtë punë e ndan veç pushka…”, mbase ka nevojë për një reflektim.
Çfarë mund të bëjë kryeministri Rama pas dekretit të sotëm të presidentit Meta? Sigurisht, përveç idesë që edhe e ka shprehur, se do të votohet me 30 qershor… Në arsyetimet e tij por edhe të mbështetësve të tjerë të “30 qershorit”, Rama ka pranuar precedentët e kaluar të shtyrjes së zgjedhjeve nga presidenti i Republikës, por Meta gaboi me 10 qershor 2019 sepse nuk caktoi një datë zgjedhjesh, të cilat nuk mund të shtyhen në pafundësi. Nga sot, kemi një datë zgjedhjesh, tre muaj e gjysmë larg nga sot. Rama mund të vazhdojë të artikulojë afatin katër vjeçar të të zgjedhurëve vendor që nis e mbaron në të njëjtën datë. Por nga ana tjetër, parashikohet po në ligj se kryetari dhe këshilli bashkiak qëndrojnë në detyrë deri sa të konstrituohen të zgjedhurit e rinj. Këtu futemi në një rreth vicioz që mund ti dalë në krye me interpretim vetëm…Gjykata Kushtetuese.
Në lojë do të vazhdojë të mbetet edhe afati i fundit ligjor kur presidenti mund të shpallë datën për të respektuar kohëzgjatjen e mandateve katër vjeçare të të zgjedhurëve vendorë. Sipas Metës por edhe Ramës, afati i fundit në stinën verore të zgjedhjeve ishte pikërisht 30 qershori. Ndërkohë, me 13 tetor përsëri jemi në një stinë vjeshtore të zgjedhjeve parashikuar në ligj, por mbetet vakuumi që ligjërisht sipas Ramës, nis nga data 12 gusht deri me 13 tetor. 12 gushti është data kur përfundojnë mandatet e të zgjedhurëve vendorë në 2015-ën, sipas Ramës. Qeverisja vendore është autonome dhe në këtë rast, është në mes presidentit dhe kryeministrit të vendit, të dy me nga një datë të ndryshme për zgjedhjet vendore. Gjykata Kushtetuese të paktën deri me 30 qershor, nuk ka asnjë shans të bëhet funksionale kështu që, zyrtarisht jemi në një kolaps të thellë dhe pa zgjidhje për funksionimin e qeverisjes vendore në Shqipëri.
E nëse nuk është nevoja të shkohet tek “pushka” për të zgjidhur çeshtjen e administrimit të pushtetit vendor diku andej nga 15 korriku, Rama ka në dorë një mekanizëm të tërthortë për “të lodhur” kryebashkiakët dhe këshillat bashkiakë aktualë. Fare lehtë, përmes Degëve të Thesarit, u heq të drejtën e firmës kryebashkiakëve në detyrë që normalisht presin 13 tetorin për të garuar dhe ua kalon “fituesve” të 30 qershorit. Atëherë do të ishim të një prag katastrofe të mirëfilltë institucionale, me një pushtet vendor të asfiksuar që nuk mund të ofrojë asnjë sherbim- madje as rroga për punonjësit, një parlament pa numër të plotë deputetësh sipas Kushtetutës dhe pa opozitë reale brenda, me përplasje thuajse të pashmangshme në të gjitha format.
Duke e parë nga jashtë, me sytë e ndërkombëtarëve, si rradhë herë nuk ka një zgjidhje të mundshme. Diplomati i rëndësishëm amerikan Palmer sapo njoftoi se SHBA njeh 30 qershorin si datë të zgjedhjeve në vend. Sipas gjasave, edhe ndërkombëtarët e tjerë të rëndësishëm, në reaksion zinxhir, do të marrin këtë pozicionim. Çfarë mbetet për të bërë?! E ka një zgjidhje! Me urgjencë të arrestohet presidenti Ilir Meta, të mos i botohet ky dekret as në Fletoren Zyrtare (siç u gabua me atë të 10 qershorit që anuloi zgjedhjet) dhe të nis urgjent gjyqi si “tradhtar i kombit” dhe të…pushkatohet! Edhe pse, mazhoranca aktuale, thuajse kundër dëshirës së tij, dy vite më parë e bënë “me zor” Ilir Metën president. A nuk veprohej kështu dikur në vendin tonë…?! Dhe të imagjinosh se jemi në “vitet e rinisë” së Demokracisë, akoma nuk i kemi mbushur 30 vite! Po kërrusemi e plakemi nën një barrë kaq të vogël vitesh…! /Shënim i ShkodraWeb/