
Zëvendëskryeministrja Senida Mesi ishte këtë të premte në qytetin e Elbasanit në një axhendë të ngjeshur takimesh, ku në fokus ishte reforma në shërbimin publik. Mesi inspektoi shërbimet dhe problematikat e zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme, një nga drejtoritë me ngarkesë të lartë pune.
Numri dy i qeverisë u njoh prej titullarit me nisjen e punës për shqyrtimin e dosjeve të prapambetura nga viti 2015-2016-të. Mesi tha se është e rëndësishme që qytetarët t’i marrin shërbimet në kohë dhe cilësinë e duhur, ndërsa e vuri theksin te eliminimi i çdo forme korrupsioni dhe ryshfeti.
Prej një jave në ZVRPP në Elbasan një sportel funksionon vetëm për biznesin dhe bankat, duke i krijuar mundësi qytetarëve të mos rrinë në pritje. Kreu i institucionit Mariglen Disha ftoi qytetarët të mos i drejtohen për ndihmë asnjë personi tjetër që nuk ka lidhje me stafin e shërbimit.







