ShkodraWeb Media

E Vërteta të bën të lirë!

Zbulohet formacioni i Vllaznisë për nesër ndaj Laçit…

Jonuz, përballë Laçit me formacionin e miqësores së fundit. Vllaznia është në orët e fundit të përgatitjeve për përballjen e parë të këtij sezoni. Ata do të startojnë këtë kampionat në Shkodër përballë Laçit dhe natyrisht pritet që skuadra ta nisë me këmbë të mbarë.

Për këtë duket se po mendon trajneri Mirsad Jonuz. Nga sa shikohet ditët e fundit të përgatitjeve, pavarësisht se pranë skuadrës kanë mbërritur edhe prurje të reja, sërish për përballjen me laçianët trajneri mësohet se do t’u besojë pikërisht lojtarëve që ka stërvitur që nga dita e parë e nisjes së punës.

Treshja braziliane e sapoardhur këto ditët e fundit nuk do të jetë e gatshme për këtë sfidë. Sulmuesi Emerson, pavarësisht se është bashkuar me ekipin ditët e fundit të përgatitjeve, sërish nuk duket i gatshëm për Jonuzin.

Ndërsa dyshja e mbërritur vetëm dy ditë më parë, mesfushori Gonçalvesh si dhe sulmuesi Uenderson, ende nuk u kanë mbërritur letrat që të bëhet i mundur aktivizimi. Nisur nga kjo, trajneri Jonuz edhe për takimin me Laçin do t’i besojë formacionit që startoi takimin miqësor ndaj Besëlidhjes.

Në portë do të jetë Sherri. Në mbrojtje katërshja e përbërë nga Gurishta nga e djathta, Shehi e Malota në qendër dhe nga e majta maqedonasi Gligorov. Në mesin e fushës pritet që të jetë treshja H. Marku, Krymi e Kruja. Pas Pusit që pritet që ta nisë këtë sezon si titullar, pritet që të jenë kapiteni Lika e Shtubina. Megjithatë, deri në shtunën Jonuz mund të ketë ndonjë lëvizje tjetër.

NDRYSHIMET

Pas takimit me Laçin tekniku Jonuz do të ketë më shumë alternative për sa i përket formacionit të parë. Dy nga repartet që kanë më shumë konkurrencë dhe që mund të ketë edhe më shumë ndryshime do të jenë pikërisht ato të sulmit dhe mesit të fushës. Porta e mbrojtja duket se janë më të blinduara, me lojtarët që momentalisht tekniku ka në dispozicion.

Alen Sherri për portën si dhe katërshja Gurishta, Shehi, Malota e Gligoriov duket se do të jenë edhe në formacionin e së ardhmes. Në mesin e fushës dilemat mund të jenë të shumta. Krymi mund të jetë ndër të vetmit që do të ketë një vend në formacion. Luftë e fortë mund të jetë mes dyshes H. Marku e Ramadani. Por, nisur nga karakteristikat që kanë, nuk përjashtohet mundësia që të dy mund të luajnë së bashku me Krymin dhe të bëjnë barrierën e mesfushës.

Sërish një duel i fortë është edhe në dyshen tjetër të mesfushës: kapiteni Lika, i sapoardhuri Gonçalvesh e po ashtu edhe Shtubina. Një zgjedhje e vështirë për trajnerin Jonuz, por duhet marrë parasysh se do të shikohet edhe forma nga java në javë e çdo lojtari. Gonçalvesh e Shtubina mund të jenë më të preferuarit, megjithatë konkurrenca do të jetë e madhe me eksperiencën që ka kapiteni Lika. Ndërsa në sulm mendohet se do t’i besohet brazilianit të tretë, Emerson.

Loading...
Copyright ShkodraWeb Media © 2019 All rights reserved. | Politika e Privatësisë nga ShkodraWeb Media.