ShkodraWeb ka arritur të zbardhë arsyet e shkarkimit të drejtorit të Spitalit Rajonal të Shkodrës Vilson Masmalaj. Burime që flasin për ShkodraWeb, bëjnë me dije se shkarkimi i Masmalaj ishtë “në ajër” prej kohësh. Shkaku kryesor për vendimin e marrë, lidhet me ankesat e shumta në portal për drejtorin e emëruar në ditët e fundit të nëntorit të kaluar. Bëhet fjalë për qindra ankesa, që në ditët e para të marrjes së detyrës nga Masmalaj dhe në vijimësi.
Veç ankesave nga persona jashtë Spitalit Rajonal, ankesa të shumta ka patur në drejtim të Masmalaj edhe nga punonjës të institucionit që drejtonte. Një nga këto shqetësime madje, pak ditë para shkarkimit u bë publik edhe në ShkodraWeb. Shqetësimet janë shyqrtuar rast pas rasti dhe madje edhe i janë bërë prezente drejtoit, i cili mesa duket nuk ka reaguar.
MUND TË LEXONI EDHE: LETËR NË REDAKSI/ “Drejtori ushtron një dhunë të paparë psikologjike tek punonjesit e Spitalit Rajonal të Shkodrës”
Pavarësisht se fitues me konkurs i postit, sapo emri i tij u publikua, ngjalli reagime të shumta edhe tek stafi i mjekëve të spitalit, të cilët nënshkruan edhe peticione. “Ne nuk mund të lejojmë që në spital të vijë një person që nuk ka lidhje me shëndetësinë. Mund të jetë një figurë e nderuar, por është e qartë se nuk e njeh as mjekësinë dhe as shëndetësinë. Nëse në këtë mes ka pasur një proces politik duke shkelur mbi mjekët dhe duke bërë farsë konkursin, atëherë ne nuk duhet të lejojmë që të ndodhë kjo gjë. Në krye të spitalit na duhet një mjek, pra një koleg yni që e njeh spitalin, shëndetësinë dhe i di të gjitha problemet që janë. Ka ardhur koha që në spital të kemi drejtues vetëm profesionistë, ashtu siç e ka gjithë bota dhe nuk duhet të heshtim e aq më tepër të kemi frikë”, – shpreheshin asokohe mjekët e spitalit të Shkodrës.
Përveç pjesës profesionale të mangët, Masmalaj paragjykohej edhe si ish- kandidat për deputet i PS-së në 2017- ën. Madje, sipas listës zyrtare të kandidaturave që konkurruan, ai ia doli të lërë pas edhe drejtorin e atëhershem Përparim Çela dhe ish- drejtorin Senad Halluni. Sipas burimeve të cituara nga ShkodraWeb, tashmë pritet që të merret edhe njëherë në dorë lista e kandidatëve, ndërsa më të favorizuarit për të marrë postin e drejtorit të Spitalit Rajonal të Shkodrës janë Përparim Çela dhe Senad Halluni. Nuk përjashtohet edhe mundësia e ndonjë konkursi tjetër, përfundojnë të njëjtat burime meqenëse herën e parë rezultati që shpalli fituesin ngjalli mjaft dyshime. Por më herët, mund të ketë edhe ndonjë komandim të titullarëve aktualë, por që gjithsesi do të jenë të përkohshëm në detyrë.
Ndërkohë, i komanduar nga mediat, Masmalaj ka thënë se nuk është shkarkuar, por është vetëlarguar për një pozicion tjetër. Ky varinat i dhënë nga ish- drejtori i Spital Rajonal të Shkodrës, mbetet për tu parë. Ndërkohë, që burimi i cituar nga ShkodraWeb flet për një version krejt tjtër. Si gjithmonë, ShkodraWeb është e hapur të publikojë çdo komunikim të Masmalaj lidhur me këtë çështje, për të dhënë edhe ai versionin e tij. /ShkodraWeb/