Spanja është kthyer në një nga portat kryesore që emigrantët përdorin për të kaluar drejt Britanisë. E përditshmja britanike “The Telegraph” në një artikull të saj shkruan se numri i personave që përdorin portet e Spanjës janë tre fishuar. Këtë vit janë ndaluar rreth 1250 persona në portin Portsmouth në Hampshire, ndërsa shtatorin e 2016 janë ndaluar vetëm 436 persona.
Një zyrtar britanik shprehet se pjesa më e madhe e emigrantëve janë të rinj shqiptarë të cilët janë të mirëorganizuar dhe që shënjestrojnë portin e Bilbao.
Zëdhënësi i kompanisë Brittany ferries shpjegon se porti Bilbao mbetet shënjestër tërheqëse për të gjitha grupet kriminale.
Prej kohësh mediat britanike kanë trajtuar mënyrat që emigrantët sidomos ata shqiptarë përdorin për të kaluar drejt Britanisë, dhe jo rrallëherë japin alarmin duke sjellë histori të shtetasve shqiptarë të cilat janë ndaluar nga policia për drogë apo krime të llojeve të ndryshme.
Pëmes shembujve të tillë në mënyrë indirekte kërkojnë që zyrtarët të forcojnë më shumë kufijtë për të mos lejuar emigrantë ilegalë. /shqiptarja.com/