Zbardhet vrasje e biznesmenit shqiptar në Greqi, autori është një 54 vjeçar pronar hoteli, ishte çeshtje borxhesh

Është gjetur i vrarë në ishullin Rodos në Greqi biznesmeni shqiptar i ndërtimit Jani Topalli, i cili ishte zhdukur që prej disa ditësh. Mediat greke raportojnë se në pranga është vënë autori i dyshuar, një 53-vjeçar, pronar i një hoteli, i cili i kishte borxhe biznesmenit shqiptar.

Jani Topalli, 46-vjeç, baba i tre fëmijëve, rezultonte i zhdukur që prej datës 28 gusht. Në ditën e fundit të zhdukjes së tij ai kishte takuar një 53-vjeçar, pronar hoteli në Greqi, i cili kishte për t’i shlyer disa detyrime në bazë të një marrëveshje që ato kishin lidhur.


Mbrëmjen e 28 gushtit, kur edhe u zhduk, Jani Topalli, ka pasur një takim me 53-vjeçarin grek. Ai po përpiqej që t’i merrte një borxh prej 30 mijë eurosh biznesmenit grek, i cili e kishte kontraktuar për punë ndërtimi. Ky i fundit deklaroi se takimi mes tyre ishte anuluar, por kamerat e sigurisë, zbuluan se takimi ishte zhvilluar.

Pas veprimeve hetimore dhe gjatë marrjes në pyetje, pronari i hotelit, ka pranuar se ka vrarë 46-vjeçarin shqiptar si dhe ka treguar se ku ka fshehur kufomën.