Orët e gjata të debatit parlamentar të zhvilluar këtë të enjte, detyruan në jo pak raste deputetët e Parlamentit të përdornin edhe ofendime dhe sharje në drejtim të njëri-tjetrit. Debati që nisi për heqjen e të drejtës së transmetimit për televizionet private nga ana e transmetuesit publik, çoi deri në ndërprerjen e seancës dhe largimin e opozitës PD-LSI nga seanca plenare.
Po kaq debate prodhoi edhe fjalimi i parë i deputetes së Shkodrës, Izmiria Ulqinaku, e cila i kujtoi kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, përgjegjësitë si ministri i Brendshëm në vitin ’91 kur i kanë vrarë gjyshin. Shpjegimi i kreut të Kuvendit nuk ka mjaftuar për të ulur tonet e debatit në të cilin janë përfshirë edhe anëtarë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Kryeministri Rama ka preferuar që të qëndrojë në sallën e Parlamentit edhe në shumë raste kur ajo ka qenë e boshatisur. Për këtë arsye, shpeshherë është përplasur me deputetë të opozitës.
Debati nga vendi dhe pa mikrofon me deputetët e rinj të PDsë, Klevis Balliu dhe Ervin Salianji, ka sjellë reagime dhe batuta të ndërsjellta mes kreut të qeverisë dhe përfaqësuesve të opozitës.
DEBATI NË PARLAMENT
Edmond Spaho: Zoti kryetar, më njoftojnë që seanca po transmetohet nga vetëm një transmetues televiziv. Ndërkohë që të gjitha stacionet e tjera televizive nuk marrin sinjalin për shkak se drejtori që ju keni caktuar në RTSH ka vendosur një sistem tarifash të papërballueshme. Unë ju kërkoj ta ndërprisni seancën dhe të merrni masa që sinjali t’u jepet të gjithë transmetuesve televizivë.
Gramoz Ruçi: Stafi dhe sektori përkatës të merret menjëherë me këtë çështje. Media është prezente në sallë. Aparati të komunikojë dhe të më japë një përgjigje sa më të shpejtë.
Edmond Spaho: Jo, jo, ndërprit seancën. Në emër të Grupit Parlamentar të PD-së, të kërkoj 10 minuta pushim. Ndërprit seancën.
Sali Berisha: Sot ka ndodhur një akt i paprecedentë në 27 vite në Parlament. Gëllçi i zi me urdhër të njeriut që ka alergji, tmerr, frikë nga fjala dhe vota e lirë. Neobllokmeni Edvin Kristaq Rama u ka ndërprerë sinjalin të gjitha mediave të tjera, në mënyrë që të bllokojë komunikimin…
Edi Rama: Ti që i do shumë mediat, pse nuk erdhe dje tek Ylli Ndroqi?
Sali Berisha: Ky akt është një akt jashtëzakonisht i rëndë. Është një atentat ndaj fjalës së lirë. Është tmerri që ka kapur qeverinë e Noriegës. Kërkoj rikthimin e sinjalit për televizionet. Ata gazetarë kanë ndenjur ditë e natë me ne dhe ju i përzini tani nëpërmjet Gëllçit të zi që u soll nga Bostoni për qëllime të botës së krimit dhe censurës.
Gramoz Ruçi: Z. Berisha, lidhur me ndërhyrjen tuaj, duhet të keni parasysh që këtu në sallë respektohet vetëm rregullorja. Seancat duhet të jenë të hapura dhe mediat janë aty…
Sali Berisha: Jo, jo, po s’e përcjell sinjalin Gëllçi i zi.
Edi Rama: Ore po të them edhe një herë, pse nuk ishe dje tek Ylli Ndroqi? Ti edhe nuk vjen në dasmë, edhe do të flasësh për dasmën. Hajde njëherë në dasmë, trego sa i do mediat, pastaj fol sa i do.
Gramoz Ruçi: Z. Berisha, çdo tentativë për të ndërprerë fjalën të ndëshkon. Rregullorja e detyron TVSH që të transmetojë disa seanca të plota. Nëse ka mosmarrëveshje mes TVSH dhe kanaleve private, këto janë çështje që nuk zgjidhen në sallën e Parlamentit.
Edi Rama: Jemi në kushtet e një shërbimi komunist, në kushtet e demokracisë. Televizioni publik nuk mund të ketë asnjë ekskluzivitet mbi hapësirën e jetës parlamentare. Si në çdo vend normal dhe shtet demokratik, ku në çdo parlament demokratik, ky shërbim jepet nga ekrani i Kuvendit, qoftë për seancat plenare, qoftë për seancat e komisioneve, qoftë edhe për shumëçka tjetër, është koha që kjo të bëhet edhe në Shqipëri. Si në çdo vend tjetër, nuk mund të ketë 25 kamera në sallën e Kuvendit. S’është nevoja për gjithë këto shpenzime dhe për gjithë këto burime njerëzore të të gjithë aktorëve mediatikë. Kjo është shumë e thjeshtë, mjafton që Kuvendi ta marrë nga televizioni publik – për sa kohë do t’i duhet që të ngrejë infrastrukturën e vet të nevojshme – dhe të gjithë aktorët mediatikë mund ta marrin pa pasur nevojë për kameramanë, pa pasur nevojë për regjisorë, siç e merr ERTV dhe e jep falas për të gjithë.
Gramoz Ruçi: Fjalën e ka z. Dashamir Shehi.
Taulant Balla: Shiko se është në kafe… te kafja është ai…
Izmira Ulqinaku: Të nderuar deputetë. Si deputete e re që dal për herë të parë në foltore, dua ta filloj jo me pikën e rendit të ditës, por me një qëndrim timin personal dhe të shumë shkodranëve. Etika ma do që fjalën ta filloj ashtu siç do ishte më normalja, duke përshëndetur edhe kryetarin e Kuvendit, por historia e familjes sime nuk ma lejon. Jam mbesa e një prej dëshmorëve të 2 prillit 1991. Nuk e kisha menduar asnjëherë që do të flisja në Parlamentin shqiptar pas 27 vitesh dhe kryetari i tij të ishte Gramoz Ruçi, protagonisti i asaj ngjarjeje. Vendosja e ministrit të Brendshëm të asaj kohe në krye të Parlamentit është një njollë e zezë. Vendosja e z. Ruçit në krye të Kuvendit është një karshillik ndaj të persekutuarve politikë, por mbi të gjitha është një përdhosje ndaj qytetarisë shkodrane.
Gramoz Ruçi: Një sqarim të asaj që the në lidhje me emrin tim në raport me qytetin e Shkodrës. Fole për një kohë që nuk është faji yt që ishe disamuajshe në ’91. Fole për një kohë që nuk është faji yt që ishe 1 vjeçe në ’92. Ruçi në atë kohë ishte në Shkodër në mes të piacës dhe nuk është faji yt që nuk mund të ndiqje marrëdhëniet e Ruçit me shkodranët. Jam i lumtur që më kanë mirëpritur me duar në xhepa dhe më kanë përshëndetur të gjithë votuesit e tu të sotëm. Prandaj t’i njohësh mirë faktet.
Izmira Ulqinaku: Dua fjalën për replikë.
Gramoz Ruçi: Nuk ka fjalë për replikë.
Izmira Ulqinaku: Më përmende emrin.
Gramoz Ruçi: Emrin ma përmende ti mua, moj zonjë, nuk ta përmenda unë.
Petrit Vasili: Kërkoj fjalën për procedurë.
Gramoz Ruçi: Fjalën e ka Mimi Kodheli, nuk ka replikë.
Petrit Vasili: Ore nuk e bën ti rregulloren këtu. Nuk e interpreton ti rregulloren si të do qejfi ty. Lëre kompjuterin, më shiko në sy mua.
Lulzim Basha: Çohu, Petrit, merre fjalën që kërkove. S’mund të tallet me rregulloren ai.
Petrit Vasili: Për çështje të procedurës, fjala jepet menjëherë. Ma jep rregullorja këtë të drejtë. S’besoj se ke dëshirë të tensionosh sallën e Parlamentit. Truket që ju bëni sikur jeni i pavëmendshëm janë aq të dala mode dhe aq antipatike sa nuk i takojnë kësaj salle.
Dashamir Shehi: Ore si e përmend emrin tim kur unë nuk jam në sallë? Nga këto mund të bësh sa të duash ti, por kjo nuk është rregullore. Kur s’është opozita në sallë, si më jep fjalën ti?
Gramoz Ruçi: Le të mos jetë opozita, nuk mbaj përgjegjësi unë ku është opozita.
Edi Rama: Shko atje te vendi ti (qesh), drejton me gisht kafen e Kuvendit.
Klevis Balliu: Do t’i kërkoja kryeministrit të bënte një akt heroik, patriotik për veten e tij dhe partinë që përfaqëson. Sepse kjo parti e majtë duhet të ngrejë vlerat e majta dhe jo vlerat e krimit. Kryeministri të japë dorëheqjen. Të fusë një mik te presidenti që t’i jepet falje. Unë do ta votoja dhe në këtë mënyrë do të ecnim përpara drejt Europës.
Edi Rama: Na fut mik te presidenti babin, që të na lidh ai me Presidentin.
Klevis Balliu: Zoti kryetar kërkoj fjalën për replikë. Kemi gjithë këto vite që e dëgjojmë këtë. Me babin tim dil dhe bëj debat në televizion, se ka 27 vjet që ta kërkon dhe e refuzon. Dhe sa për mik te presidenti për amnisti futem unë mik dhe ta zgjidh pa merak.
Edi Rama: Hajde ulu këtu afër, hajde. Eja ulu këtu me mua.
Klevis Balliu: Nuk kam nevojë të ulem te karriget e vjetra unë, kam vendosur të ulem te karriget e reja.
Ervin Salianji: Nuk ka më fuqi kryeministri mbi bandat. Janë bandat ato që kontrollojnë kryeministrin. Zotëria është sot vegël që rrotullohet dhe përdoret nga krimi. Është krimi që po e mban në prehër.
Edi Rama: Ishe dobët sot me fjalimin, e kishe më të fortë herën e parë.
Ervin Salianji: Kujtova se e kishe brenda… kufjen… mbaje brenda… kufjen… mbaje…