“Za Fest nuk lindi dje në Shkodër”, reagon zevendëskryetari i Bashkisë: Dezinformim për interesa politike…

Za Fest në Shkodër nuk lindi dje dhe as nuk erdhi nga hiçi. Për ata që sot duan ta shesin sikur ky festival po vjen prej tyre, e duke ja veshur individëve të caktuar meritën e organizimit, nuk bëjnë asgjë tjetër veçse ndjekin rrugën e zakonshme të dezinformimit për interesa politike.

Që në hapat e parë kur ky projekt lindi dhe u prezantua, në dyert e bashkisë Shkoder gjeti mbështetjen maksimale dhe pa asnjë rezervë. Sepse erdhi nga një bir i këtij qyteti dhe me dëshirën e mirë për ti dhënë diçka të bukur Shkodres së të parëve të tij.


E padiskutim që Bashkia Shkodër e përqafoi dhe i dha të gjithë mbështetjen institucionale. Këtë gjë e bëri edhe sivjet kur kemi arritur në edicionin e gjashtë të tij dhe “Za Fest” është konsoliduar e ka krijuar traditën e tij të bukur. Jo vetëm financiarisht, por me çdo instrument të mundshëm që ka në duar bashkia Shkodër, është investuar për ta mbështetur këtë event, prandaj jo më kot pas Delegacionit të Bashkimit Europian, jemi institucioni i dytë për nga suporti.

E bëjmë këtë gjë me një vizion të qartë për ti dhënë më të mirën Shkodres, shtëpisë tonë ku kemi vendosur të ndërtojmë të ardhmen. Fakti që kryeministri i vendit eviton ta përmend Bashkinë Shkodër, është dëshmia më e mirë e asaj politike që në këto 9 vite ai ka ndjekur ndaj këtij rajoni. Në fakt një kryeministër i përgjegjshëm do të duhej së paku të mos luante rolin e një nihilisti për interesa meskine, sepse sikur asgjë tjetër, mjaftojnë dokumentat zyrtare për të dëshmuar rolin dhe mbështetjen që çdo institucion ka dhënë.

Duke përgëzuar organizatorët që edhe këtë edicion na dhanë një produkt të bukur që i dha za Shkodrës, i garantojmë se do të jemi mbështetje e vazhdueshme për të mbajtur të fortë e me risi dhe surpriza këtë “patentë” të qytetit tonë. /Nga Ardit ÇYLYBYLI, zevendëskryetar i Bashkisë Shkodër, publikuar në Facebook/