
Nga Razma e Malësisë së Madhe, institucionalizohet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Fondacionit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF) për përgatitjen e dosjeve të aplikimit dhe regjistrimit të katër dukurive të trashëgimisë jo-materiale shqiptare në “Listën Përfaqësuese të Dukurive Jo-Materiale të Njerëzimit” të UNESCO-s.
Bashkëdrejtori Ekzekutiv i AADF, Martin Mata theksoi se hartimi i dosjeve për katër dukuritë të trashëgimisë jo materiale do të jetë një rrugë e gjatë dhe e vështirë.
“Fondacioni ka krijuar një traditë të mirë në ndërhyrje në këtë pjesë të Shqipërisë dhe nëse do të arrijmë t’i përfshijmë këto pasuri në UNESCO, do të ketë një ndikim shumë të madh në turizmin e zonës.” -u shpreh Mata.
Për ministren e Kulturës Elva Margariti ky ishte një angazhim i dyfishtë si ministre, por edhe si nënë.
“Vazhdimisht e përmendim si një refren faktin që Shqipëria ka një pasuri kulturore të jashtëzakonshme. Në një hapësirë kaq të vogël gjen një ndërthurje kaq të larmishme motivesh, ngjyrash.
Por do të mbetemi vetëm me jehonën e së shkuarës, e asaj që ishte dhe nuk është më, nëse nuk do të ruajmë dhe trashëgojmë atë pasuri që neve na e kanë trashëguar brez pas brezi, por që sot, nën trysninë e zhvillimit të shpejtë teknologjik dhe problemeve të së përditshmes rrezikojmë t’i humbasim. E nëse kjo do të ndodhë, atëherë me siguri nuk do të kemi shumë për t’u krenuar apo për t’u shquar mes kulturash të mëdha, imponuese, në këtë botë që vrapon drejt globalizimi dhe shuarjes së të ndryshmes”, tha Ministrja e Kulturës Elva Margariti.