Xhodë, të rrije dhe ca…që sot më mori malli…!

Ngatërrove radhën Xhodë! Të rrije nga fundi i varganit. Pas vitesh e vitesh duhej të tregoje pasaportën atje te dera e Parajsës. Që të ikje i qeshur, i ngopur, i kënaqur. Por ja, që ti i maturi në jetë e në filma kapërceve klonin dhe u derdhe linkthi drejt errësirës.


Të shtyu sëmundja, dhimbja, por mbase motiv kishe dhe filmin, teatrin, skenën, kolegët, artdashësit, se ajo ndërtesë që po bëhet lakmi e vjedhjes ishte tempulli yt. Me shfaqje që u shiteshin biletat dy javë para.

Në atë oborr lëviznin korifej. Tani ruhet nga rrënimi prej misionarësh që fe kanë traditat dhe historinë. Shteti e ka harruar artin. Shteti i ka hipur fadromës dhe shëtit si i marrë mbi betoniera. E di që nuk më dëgjon. E di që s’ma vë veshin.

LEXONI EDHE: FOTO LAJM – “O Captain! My Captain!”, dedikimi prekës i vajzës së aktorit Xhevdet Ferri

Por edhe unë nuk po e besoj lajmin. Është fake. Xhevdet Ferri rron. E kam te CD në shtëpi. Siç e kanë mijëra familje. Ja, e hapa, “Përrallë nga e kaluara”. Ja ku je. I ri, i shëndetshëm, i pashëm. Si doje të na lije kur ne të kemi salduar te TV dhe DVD e shtëpive.

Xhodë, më dhembi zemra nga lajmi i zi. Mbase do mësohem me largimin tënd. Ama kur moshatarët e tu vite e vite më pas do ecin avash-avash e me karroca apo bastun, ti do u dalësh para si kaçaku i filmit.

Do qeshësh e do bësh romuze me ta. “Hë mo e bëni dot shurrën?”, do u thuash. Atëherë ata do të kenë zili ty që në përjetësi do të quhesh djalosh. Djalosh dhe bukurosh.

Xhodë, të rrije dhe ca. Që sot më mori malli! /Nga Agim XHAFKA/

Për të afishuar reklamën apo njoftimin tuaj në ShkodraWeb Media mund të kontaktoni duke klikuar ShkodraWeb Media dhe menjëherë do të kontaktoheni nga stafi. ShkodraWeb Media ju mirëpret!