Karriera e Xhevahir Sukajt ka qenë me ulje-ngritje në vitet e fundit! Sulmuesi shkodran nuk ka arritur të gjejë veten që pas largimit nga Partizani në sezonin 2015-16. Kalimi në Malajzi te Perak nuk rezultoi ashtu siç e priste e as rikthimi te Partizani. 31-vjeçari përjetoi disa dëmtime që nuk e lanë të shprehte veten, pa harruar marrëdhënien e vështirë me trajnerin Sulejman Starova.
Rikthimi në Shkodër u duk sikur ishte një frymëmarrje për Sukajn, pasi arriti të gjente minutat dhe golat. Rënia e Vllaznisë nga Superiorja e detyroi të gjente një skuadër tjetër. Në fund të merkatos së verës nënshkroi me Laçin.
Aventura me kurbinasit ishte si një ëndërr vere, pasi luajti vetëm për dy ndeshje dhe koleksionoi 44 minuta në fushën e lojës. Sukaj është një lojtar i lirë në treg dhe po mundohet të gjejë një skuadër të re për të luajtur në 6 muajt e tjerë.
Burime të Telesport bëjnë me dije se shkodrani i është vetofruar ekipit të Tiranës. Ai ka kontaktuar me presidentin Refik Halili dhe i ka kërkuar t’i bashkohet skuadrës për të luajtur deri në fund të sezonit. Kontrata? Burrërore.
Pa klauzola, pa nene, pa diçka të përcaktuar. Shkodrani ka eksperiencë të madhe në Superiore dhe mund të ishte një përforcim i goditur për ekipin bardheblu. Kartat janë të hapura, largimi i Ngoosë mund të plotësohet me Sukajn! /Burimi:TeleSport/