
Flamurtari ka mposhtur Tiranën në sfidën e zhvilluar në Vlorë, duke siguruar tre pikë me vlerë për zonën europiane, ndërsa bardheblutë fillojnë të ndjejnë poshtë tyre dyert e kategorisë së parë, me Kastriotin që tashmë është vetëm tre pikë larg ekipit të Memës. Në Vlorë ndeshjen e vendos një emër që Tiranën e ka ndëshkuar shpesh në këto sezone. Xhevahir Sukaj do të ndjekë aksionin pas topit të goditur nga Musta dhe do të shënojë me Abibin të mposhtur.
Në pjesën e dytë Tirana kërkon me ngulm golin e barazimit dhe do të ketë shansin e artë ta shënojë atë, kur në minutën e 50-të Jorgji do ta cilësojë si faull ndërhyrjen e Deliajt ndaj Hoxhallarit. Në pikën e bardhë do të paraqitet Eni Imami, i cili gjuan jashtë shansin e artë, duke konfirmuar mallkimin e Tiranës, që në 4 penalltitë e ekzekutuara në këtë kampionat, nuk ka shënuar asnjë.
Minutat e mbetura nuk do të sjellin ndryshim rezultati. Flamurtari mposht Tiranën 1-0 dhe vetë fluturon drejt Kupave të Europës, ndërsa bardheblutë duhet të bëjnë llogaritë mirë në fazën e fundit pasi rrezikojnë seriozisht të rikthehen në Kategorinë e Parë.