WEB SPY/ Po bëjnë vetting, po ngrejnë “drejtësinë e re” por i shpëtuan mëkateve të së kaluarës…

Sot është bërë mbledhja e parë themeluese e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Është zgjedhur edhe kryetari i këtij organi të rëndësishëm, i cili kalon në sitë emrat e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm dhe i dërgon për miratim Kuvendit vetëm 3 emra.

Nesër do të mblidhet Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, edhe ai do të zgjedhë kryetarin e tij. Edhe ky organ është shumë i rëndësishëm sepse kanë në dorë emërimet dhe ç’emërimet në këtë sistem të rëndësishëm.

Më herët, u ngritën dhe po funksionojnë KPK dhe KPA, dy “gjykatat” që po bëjknë vetingun e gjyqtarëve e prokurorëve në vend dhe do ti japin jetë “drejtësisë” së re bashkë me KLP e KLGJ. Më vonë mbase, me SPAK dhe BKH që do të bëjnë “të dridhen” të korruptuarit në politikë e qeverisje.

Kemi dëgjuar gjithë kotë muaj se emrat e përzgjedhur në organet e mësipërme, kanë kaluar në filtra të shumëfishtë. Për të mos e zgjatur, të gjithë janë kaluar nëpër “vrimën e gjilpërës”. Madje, përveç institucioneve shqiptare, për emrat e përzgjedhur janë pyetur edhe shërbimet partnere.

Por mesa duket është harruar faktori i brendshëm, vetë qytetarët shqiptarë. Prej ditësh në rrjete sociale po qarkullojnë shumë informacione, vërtetësia e të cilave nuk mund të verifikohet vetëm duke i lexuar. Por natyrisht, në kuadër të “filtrave”, nuk do të ishte keq të rishikoheshin këto informacione duke “gërmuar” pak më thellë.

E çfarë konkretisht? Janë shumë raste, por po ndalemi në vetëm 3 të konstatuar. Për hir të privatësisë, nuk po permnedim emra, aq më shumë kur nga agjensitë filtruese brenda e jashtë vendit, të gjithë rezultojnë “të virgjër”.

Njëri nga antarët e trupave të vetting-ut akuzohet se ka shkelur në mënyre flagrante ligjin sepse ka kandiduar për deputet dhe me post drejtues të një partie politike në vitin 2009. Nuk kanë kaluar akoma 10 vite siç e përcakton Kushtetuta dhe ai nuk mund të zgjidhej. “Anëtarët gjyqtarë përzgjidhen nga radhët e gjyqtarëve me integritet të lartë moral dhe profesional, sipas një procedure transparente dhe publike që siguron një përfaqësim të drejtë të të gjitha niveleve të gjyqësorit. Anëtarët jogjyqtarë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Ata nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera dhe procedura për përzgjedhjen e kandidatëve rregullohen me ligj.”, thotë neni 147/ në pikën 3 të tij.

Një tjetër person, pjesë e KLP ose KLGJ (sespe nuk duam të flasim para kohe, të flasin institucionet më mirë) rezulton se ka ndryshuar një germë në gjeneralitetet e tij. Mbase është momenti ti kërkohet llogari për arsyen e këtij ndryshimi.

I treti, sërish pjesë e “drejtësisë së re” ka mbi supe akuzën se ka paguar “para të thata” në dorë për të bërë karrierë deri në kupolën më të lartë të “drejtësisë së vjetër”. E të gjithë këta, siç edhe shumica e emrave të “drejtësisë së re”, bashkohen në një “kriter”: Korrupsionin! Në gjykata, prokurori apo auditorë, kanë bërë kërdinë duke kërkuar dhe marrë para, në shfrytëzim të postit dhe në shkelje flagrante të ligjit.

Nëse do të kenë mundësi të lexojnë këto rradhë, shumë nga emrat e “drejtësisë së re”, mund të ndjehen të përfshirë në këto “indicie” që në fakt, janë më të detajuara në rrjetet sociale dhe në shumë tavolina kafenesh. Vetëm në veshët e organeve të specializuara, nuk kanë arritur.

Teksa për ndërgjegje është vështirë të flitet sot (që vetë të përfolurit “të turpërohen” e të vetëlargohet ose të provojnë pavertetësinë e akuzave publike), ndoshta “bën zahmet” ndonjë agjensi ligjzbatuese të bëjë ndonjë verifikim…

E sa për “reformën në drejtësi” apo edhe “drejtësinë e re”, ka një shprehje në Shkodër: Moti i mirë shihet nade! /Nga Sokol N. Sokoli/

Loading...