Vulgar dhe banal, personazhi i Ermalit dhe Rama i vërtetë…

“Edhe shijet nëse nuk kultivohen vazhdimisht shkojnë drejt degradimit”. Ky do të qe konkluzioni pasi ke parë në ekranin e madh të Pallatit të Kongreseve, rolin e dajës së luajtur nga Edi Rama. As kritikët e tij më të zjarrtë, as armiqtë e tij më të mëdhej, nuk e kanë imagjinuar se kryeministri do tu jepte kënaqësinë e një dhurate të tillë ku ai shfaqet po aq banal, sa edhe vulgar.


Dhe kur theksojmë këtë nuk e kemi fjalën për fjalorin që i vihet në gojë aktorit Rama, ku gjysma e tij është e mbushur me “bij k#rvash” dhe brekë. As për imazhin e tij që i përngjan si dy pika uji me portretin që i kanë ngritur opozitarët, si krye shok kr.iminelësh.

Jo gjithçka në këtë ndërmarrje është e shëmtuar dhe e ulët.

Së pari nëse vërtet e quan veten të aftë për gjithçka, pra të bëjë edhe aktorin, Edi Rama mund të kishte zgjedhur një produksion tjetër. Jo një prodhim nga më banalët që mund të ekzistojë, që jo më larg se pak ditë më parë kinematografi i njohur Alfred Trebicka e quajti një vepër sharlatanësh. “Nëse ai (Rama) donte vërtet të kishte një rol si aktor, përse nuk zgjodhi një produksion të mirëfilltë kinematografik? Nuk di të them se ç’do të kishin bërë Macron apo Merkel nëse Luc Besson do t’u ofronte të merrnin pjesë në një film… Ku vlen të thuhet se Besson konsiderohet si regjisor i mirë”, ka këmbëngulur më pas Trebicka.

Së dyti, edhe nëse kishte vendosur ta hidhte këtë hap, aktori Edi Rama mund të kish vënë disa kushte se si do të përdorej emri i tij për promovimin e filmit. Sepse të dëgjoje Ermal Mamaqin teksa i përgjigjej një interviste të Orinda Hutës duke e trajtuar si kavje për të thithur spektatorët: “Unë e mora vetëm për ta përdorur si karem për të bërë para”, ishte e shëmtuar edhe për Ramën edhe për fansat e tij që paguajnë për ta parë.

Mbështet Shkodraweb Media në misionin e vet! FALEMINDERIT!

Së treti, duke e parë tek luan rolin e tropojanit të degraduar që vazhdon të mbështesë me dy gishtat lart PD-në, çdokush mendon për promovimin e klisheve më të pista dhe më ra.ciste që ekzistojnë në shoqërinë tonë.

Së katërti edhe si aktor Edi Rama mund të bënte më shumë. Të gjithë që kanë parë filmin bien dakord se ai teatron më shumë kur i duhet në parlament apo në intervista televizive, sesa arriti ta bëjë atëherë kur morri vërtet përsipër të luajë një rol.

Prandaj pjesmarrja në “I Love Tropoja” qe një rast për ta ndriçuar Ramën në anën e tij më të keqe. Të gjithë ata që kanë përqeshur identifikimin e Sali Berishës me Çilietën, tani nuk kanë asnjë argument për të mbrojtur partnerin e Encës. Edhe artistikisht ai vendosi të promovojë një bërllog. Dhe pas akuzave si shok i kriminelëve dhe mik i oligarkëve grabitqarë, me rolin e tij të fundit ai fitoi edhe një cilësi që se kishim imagjinuar kurrë, atë të ikonës të një arti banal. /Lapsi/


REKLAMAT NË KËTË FAQE, JANË I VETMI BURIM PËR TË GARANTUAR PAVARËSINË, PAANËSINË DHE PROFESIONALIZMIN E KËSAJ MEDIA. NËSE KENI MIRËSINË NË KËTO REKLAMA, JU NA JEPNI NJË MBËSHTETJE TË ÇMUAR! FALEMINDERIT!

Fibank Albania