
Një gazetar investigativ është vrarë në mënyrë të dyshimtë në mes të ditës në Sllovaki. Mediat sllovake shkruajnë se gazetari dhe e dashura e tij, të dy kanë ngelur të vdekur, ndërsa janë qëlluar teksa ndodheshin në banesën e tyre.
Shefi i policisë sllovake, Tibor Gaspar, tha se Jan Kuciak, 27 vjeç, dhe partnerja e tij janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre në qytetin Velka Maca, 65 kilometra në lindje të Bratisllavës.
Vrasjet dyshohet se kanë lidhje me aktivitetin investigativ të gazetarit, ndërsa sipas shefit Gaspar, kurrë ma parë nuk ishte bërë një sulm i tillë në shtetin e tyre, ndaj një njeriu të medias.
Hetimet e viktimës kishin të bënin me një mashtrim të dyshuar me taksa, në lidhje me një kompleks luksoz të apartamenteve në Bratisllavë.
Të dhënat e nxjerra nga hetimet e gazetarit kanë bërë që qytetarët të ngriheshin në protesta dhe të kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, për shkak të lidhjeve të tij të dyshimta me disa biznesmenë të prekur nga kjo çështje.







