
Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm lë në fuqi masën arrest në burg për Gjon Shkambin, të akuzuar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja. E njëjta masë u la e pandryshuar edhe për Banush Koxhajn, punonjësi i sigurisë së Apelit, i akuzuar për “shpërdorim të detyrës”.
Këta persona u përfshirë në vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja më 6 tetor në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku gjithashtu u plagosën dy shtetas të tjerë.
Ngjarja ndodhi gjatë një seance gjyqësore, ku shtetasi Elvis Shkambi palë në proces, qëlloi me armë zjarri drejt gjyqtarit Astrit Kalaja dhe shtetasve Ragip Kurtaj dhe Ervis Kurtaj, atë e bir, që ndodheshin në sallë si pala tjetër në çështje. Prokuroria kishte kërkuar vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Elvis Shkambin, i dyshuar për “vrasje të funksionarëve publikë”, “vrasje në rrethana cilësuese”, “mbajtje pa leje të armëve”, për Gjon Shkambin i dyshuar për “vrasje në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë; si dhe për Banush Koxhaj, i dyshuar për “shpërdorim detyre”.
Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Apelit, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtari Genti Shala, vendosi të rrëzojë ankimet dhe të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke miratuar masat e sigurisë “arrest në burg” për të tre personat nën hetim.




