
41-vjeçari i vrarë afro një muaj më parë në Kolumbi, Adriatik Lagjaj dyshohet se është ekzekutuar për shkak të sasisë së madhe të drogës që u kap në kamionin që do të shkonte në Maminas.
Megjithatë rasti ende nuk është konfirmuar nëse ka lidhje me drogën. Njerka e Adrikatikut, Zelina Lagjaj ka thënë për Report TV se Adriatiku kishte 14 vite që jetonte në Kolumbi ku ishte martuar me një vajzë vendase.
Me kolumbainen ai kishte edhe një fëmijë, ndërsa njerka ka treguar se ai ka qenë edhe më herët i martuar në Shqipëri dhe nga kjo martesë ka një djalë.
Zelina ka rrëfyer: “Lajmin e morëm në 3 prill në 08:00 të mëngjesit, djali ka qenë në Kolumbi me pasaportë, me familjen. Ka pasur një qendër interneti atje, hollësira nuk dimë se nuk kemi jetuar atje. Nusja e tij njoftoi djalin në Tiranë, ai nuk dinte shumë mirë spanjisht, njoftoi motrën në Borsh që është martuar. Nusja quhet Fani, mori atë direkt me gjysma fjalë spanjisht gjysma anglisht, u kuptua që po qante, ajo tha që nuk di gjë të saktë, do shkoj pas dy orësh, pasi ishte në Bogota. Nuk dimë hollësira. Vajti nusja pas dy orësh, po lidheshim me internet dhe i thamë na dërgo foto se nuk e besojmë. Na e dha lajmin. Njoftoi në Amerikë, pasi burri im ka vëllanë dhe familjen. Këtu do të shkoj vetë më tha, se e kemi më të lehtë, ne e kemi më të vështirë nga ekonomia dhe vizat. Me plumb në kokë na tha e kanë qëlluar, hollësira ne nuk na thonë se prekemi. E pashë veta tha, rrini të qetë. Bënë ceremonitë mortore në një kishë dhe e varrosën, në datë 3 vdiq, në 5 prill u varros.”
Ajo e quan Adriatikun djalin e saj ndërsa tregon se i biri nuk merrej me punë të pista dhe bënte një jetë modeste pa shumë pasuri.
41-vjeçari kishte qenë për herë të fundit në Shqipëri vitin e kaluar, në muajin shkurt dhe më pas ishte kthyer sërish në Kolumbi. Ajo thotë se kohët e fundit nuk kanë pasur kontakte të shpeshta me të dhe për herë të fundit kanë folur në telefon para 6 muajsh. Me vëllain dhe motrën ai mbante kontakte thuajse të përditshme, por një muaj para se të vritej ai kishte shkëputur çdo kontakt dhe sipas njerkës, kjo për arsyen se ai lëvizte shpesh.






