
Flamurtari i bën një dhuratë shumë të çmuar Vllaznisë, ndoshta më shumë se vetes. Kuqezinjtë kanë mundur Teutën, duke mbajtur në të njëjtën linjë për garën e mbijetesës kuqeblutë e Shkodrës. Pavarësisht se të gjithë do të donim që dje (të shtunën) Vllaznia të mos dilte e mundur nga Luftëtari në “Loro Boriçi”, humbja e Teutës në Vlorë mund të jetë një farë ngushëllimi. Dy ekipet që konsiderohen rivale direkte për mbijetesën në Superligë këtë sezon, nuk kanë bërë asnjë hap në dëm të njëra- tjetrës.
Pas kësaj dhurate nga Vlora, Vllaznia duhet të përgatisë një tjetër sfidë të vështirë, atë me Laçin që do të luhet në Shkodër. Ekipi kurbinas, edhe kur kuqeblutë kanë qënë në nivel më të lartë se sot, nuk kanë qënë “kockë e lehtë”. Ndërsa Gjoka pritet të gjejë një mënyrë më efikase motivimi se kjo ndaj Luftëtarit, pritet nëse Klubi apo Bashkia e Shkodrës do të ndërmarrin ndonjë lëvizje në situatën aspak të mirë, pavarësisht se edhe Teuta qëndoi vendnumëro.
Sa për statistikë, Flamurtari shënoi 3 gola në portën e Teutës, ndërsa durrësakët shënuan vetëm një herë, edhe pse pjesën më të madhe të pjesës së dytë vendasit e luajtën me një lojtar më pak.