Agim Canaj mirëpret ofertën e Vllaznisë. Klubi e ka projektuar edhe për sezonin e ri, e megjithatë duket se rinovimi varet i gjithi prej… zgjedhjeve. Një gjë të tillë e pranon edhe vetë trajneri gjatë një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”.
Vlonjati shpreh keqardhjen për humbjen e finales së Kategorisë së Parë kundër Bylisit dhe zbulon se ende nuk është ulur me asnjë nga drejtuesit për të folur rreth së ardhmes. Me shumë shqetësim sheh edhe pjesën e rindërtimit të skuadrës, ndërsa hapur e thotë se do të jetë e vështirë që të niset nga “zero”. Por, nëse do i kërkohet një mendim, ai ka një listë lojtarësh që mendon se mund të mbeten pjesë e grupit.
Profesor, keni filluar që të mendoni për sezonin e ri me Vllazninë dhe a ju ka ardhur ofertë nga klubi?
Dua ta nis me fundin e sezonit. Të them të drejtën, jam ndierë keq pas asaj humbjeje që pësuam në finalen e Kategorisë së Parë. Sa i përket së ardhmes, që pas asaj ndeshjeje me Bylisin, nuk kam pasur një takim zyrtar me administratorin Suad Lici për të diskutuar rreth vazhdimësisë. Kemi pasur një bisedë telefonike, por vetëm kaq.
A është folur për të ardhmen gjatë kësaj bisede?
Në këtë bisedë nuk është folur për të ardhmen. Por, e kam thënë që në momentin e parë që kam marrë drejtimin e këtij ekipi: e mirëpres ofertën në çdo moment. Dihet cila është Vllaznia dhe emri që ajo ka, por ende nuk kemi gjëra konkrete.
Çfarë po e pengon zhvillimin e negociatave për rinovim?
Gjërat janë pezull ende edhe për vazhdimësinë. Duhet pritur. Me sa duket, çështja e zgjedhjeve do të ketë ndikimin e vet.
Nëse Canaj do të rikonfirmohet në krye të stolit kuqeblu, a do ta ketë të vështirë që ta nisë nga “zero” ndërtimin e ekipit, derisa një pjesë e mirë e lojtarëve kanë dalë nga planet e klubit?
Për çdo trajner do të ishte tejet e vështirë. Megjithatë, nuk është se puna do të nis nga “zero”. Me disa prej lojtarëve drejtuesit mund të ulen dhe të diskutojnë.
Ju personalisht keni dhënë ndonjë listë të lojtarëve që do t’ju bënin punë edhe për Superioren?
Jo. Nuk e kam bërë një gjë të tillë. Nëse do të thirrem dhe të më kërkohet një gjë e tillë, sigurisht që edhe unë i kam piketat e mia. Por, deri më tani, të them të drejtën, nuk kam folur për emra konkretë as me drejtuesit.
Me rikthimin në elitë të Vllaznisë, çfarë duhet të ndryshojë?
Ekipi duhet që të forcohet. Mendoj se aspekti financiar është një anë e rëndësishme, që bën të fortë një klub. Nëse Vllaznia arrin që të ketë buxhet të garantuar, atëherë gjërat mund të ecin në drejtimin e duhur. Po ashtu, puna duhet të fillojë sa më shpejt.
Nëse duhet që të ndërtohet një ekip konkurrent, atëherë duhet treguar një fytyrë tjetër. Superiorja nuk është Kategoria e Parë. Rivaliteti është i madh, këtë e tregoi edhe ky sezon që po mbyllet. Prandaj, për mendimin e tim, Vllazninë e pret një punë e madhe. /Nga Admir URUÇI/