Vllaznia si Veleçiku, nuk do të luajë në “Loro Boriçi” por në sintetiken e “Reshit Rusit” me Erzenin…

Loading...

Pas ndërprerjes njëjavore, të gjithë kampionatet e futbollit shqiptar do të rikthehen me zhvillimin e ndeshjeve të rradhës të tyre. Kështu, java e gjashtë e kampionatit të kategorisë së parë ka dhuruar dy sfida në Shkodër. Kjo ngaqë, tashmë sipas kalendarit, në fushën sportive “Reshit Rusi” do të luajnë si Vllaznia ngaqë stadiumi “Loro Boriçi” ende nuk është gati, ashtu edhe Veleçiku, ekip që po i zhvillon ndeshjet në këtë fushë sivjet.

Për këtë arsye, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur sot që ndeshja Vllaznia- Erzeni të luhet ditën e shtunë më datë 20 tetor, ndërsa ajo Veleçiku- Korabi, të luhet një ditë më pas, pra të dielën. Kuptohet që objektivi i të dy ekipeve do të jetë fitorja. Kuqeblutë duken të pandalshëm në rrugën e tyre drejt Superligës dhe për këtë arsye do të synojnë fitoren e gjashtë rradhazi.

Erzeni konsiderohet një nga rivalët përveç Dinamos e Besëlidhjes dhe për këtë arsye, është kundërshtari i rradhës për t’u mundur. Deri të shtunën e ardhshme mendohet që të rikuperohen disa nga lojtarët e dëmtuar dhe trajneri Lika do të ketë më shumë futbollistë në dispozicion. Kjo do të jetë diçka e mirë sepse drejtuesit e klubit e kanë shprehur qartë që duan të shkëputen sa më shumë nga rivalët dhe Erzeni është njëri prej tyre.

Fitore do të kërkojë edhe Veleçiku ndaj Korabit. Koplikasit kanë bërë paraqitje përgjithësisht të mira dhe në fushën “Reshit Rusi” kanë treguar se janë të suksesshëm. Në dy ndeshjet që kanë luajtur aty si pritës, pikërisht ndaj Vorës dhe Ilirisë, kanë fituar dhe të njëjtën gjë do të kërkojnë edhe ndaj dibranëve. Trajneri Besnik Duli e ka shprehur hapur dëshirën e ekipit për të qëndruar në kategorinë e parë dhe deri tani gjërat duket se po shkojnë mirë. /ShkodraSport/

Loading...