“Vllaznia në shêjen e vllaznimit” është libri më i fundit që i kushtohet Vllaznisë dhe figurave të saj të njohura gjatë historisë së saj mbi 100 vjeçare. Autori shkodran Gjergj Jozef Kola, ka sjellë një tjetër libër, në vazhdën e publikimeve të tij nga Austria kua ai jeton prej vitesh. Në një publikim të shkurtër në Facebook, autori shprehet:
“Vllaznia ka qenë e duhet të jetë gjithmonë ma shumë se vetëm ekipi i futbollit. Vllaznia asht nji SIGEL = EMBLEMA e qytetit tonë e unë jam i lumtun se me këtë dramë – vepër arti vendosa nji gurë në kalanë e kulturës së Shkodrës tue ridimensionue madhështinë e nji simboli të jashtzakonshëm si VLLAZNIA!
Kjo dramë asht edhe njiherësh vepra e parë skenike sportive shqiptare e emni i Vllaznisë i ban ndër teatrit shqiptar. Ardhtë nji ditë dhe e pafshim në skenë…
LEXIM TË MBARË MIKESHA E MIQ!
QË SOT LIBRIN MUNDENI ME E MARRË NË AMAZON”.
Është një paralelizëm në mes figurave, dy të përzgjedhura nga historia e zanafillës me themeluesit Karl Gurakuqi dhe Shyqyri Borshi dhe dy të tjera nga fusha e blertë, legjendat e gjalla Paulin Ndoja e Sabah Bizi. Ky libër është një tjetër visar i rëndësishëm për përçimin e vlerave të padiskutueshme të Vllaznisë 102 vjeçare sot. /ShkodraWeb/