Ndërsa Vllaznia është nisur në fazën përgatitore në prag të pjesëmarrjes në Conference League, klubi kuqeblu ka hedhur një ide interesante, sidomos për moshat e vogla. Në një video- njoftim në faqen zyrtare në Facebook, Vllaznia njofton për nisjen e një kampusi veror për fëmijët. Në videon e shpërndarë, jepen mjaft detaje, ku veçojmë disa prej tyre.
Pjesëmarrësit do të marrin leksione teorike për futbollin, do të kenë mundësi të takojnë, bashkëbisedojnë dhe të bëjnë foto- kujtime me emrat më të njohur të këtij sporti, do të mund të njihen nga afër me klubin, historinë, funksionimin por edhe të bisedojnë me stafin aktual me në krye Thomas Brdariç. Gjithçka do të jetë brenda 15 diëtve, nga 1- 15 korrik 2021.
Qershia mbi tortë, nëse mund ta quajmë kështu, është një biletë e sigurtë për ndeshjen e Vllazninë në Conference League me 15 korrik. Pjesëmarrëti në kampus, do të kenë dy bileta (fëmija+ prindi) për ta ndjekur ndeshjen me Shiroki Brijeg nga shkallët e “Loro Boriçit”. Duke qenë një risi, e cila në fakt është e njohur jashtë Shqipërisë, nuk është e qartë sa do të ketë qasje pozitive nga familjet shkodrane. Megjithatë, çdo gjë e ka një fillim dhe pa u hedhur hapi i parë, nuk mund të hidhet i dyti. /ShkodraWeb/