“Vllaznia më ka bërë ofertë, po e studioj…”, Majkëll Ngo i “shkel syrin” skuadrës shkodrane…

Lajmin e bujshëm e konfirmon ekskluzivisht për “Panorama Sport” vetë sulmuesi anglez, i cili u bë i njohur në kampionatin tonë pasi luajti tri sezone me Tiranën dhe u shpall kampion.

Ai ka qenë së fundmi pjesë e klubit të Superligës qipriote, Enosis, por e ka prishur kontratën dhe tashmë është lojtar i tij. Menaxheri i tij shqiptar, Mario Cenolli, është futur në bisedime me drejtuesit e Vllaznisë. Mirëpo, vetë Ngo enkas për gazetën e pranoi një gjë të tillë.

“Është e vërtetë që Vllaznia më ka bërë një ofertë. Ata janë një skuadër e mirë dhe duan që të forcohen akoma edhe më shumë, gjë të cilën unë e respektoj. Ishin të pafat në sezonin e fundit që nuk e fituan kampionatin, pasi i shkuan shumë afër”, ka thënë fillimisht 28-vjeçari anglez.

I pyetur nëse do ta pranojë ofertën e shkodranëve, Ngo u shpreh: “Nuk jam i sigurt dhe nuk mund të përgjigjem prerazi me ‘po’ ose ‘jo’ në këtë moment. Është një ofertë të cilën më duhet ta studioj me ekipin tim dhe familjen. Më pas, nëse do të na duket oferta e duhur, do të marrim vendimin”. Ndërkohë, vlen të theksohet se gjatë qëndrimit te Tirana, sulmuesi arriti të shënonte 28 gola për tri sezone radhazi. Nga janari deri në maj të këtij viti ishte pjesë e klubit qipriot, Enosis, ku nuk arriti të shënonte asnjë gol. Kësisoj, kjo aventurë u mbyll shumë shpejt dhe tani Ngonë mund ta shohim me fanellën kuqeblu, edhe pse Tirana mund të futet në lojë për të rimarrë shërbimet e anglezit. /Nga Admir URUÇI/

ShkodraWeb Channel