Ashtu siç bëri të ditur klubi shkodran pak ditë më parë, shumë shpejt do të niste bashkëpunimin me një Akademi të njohur në Nigeri. Ftesa e ardhur prej atje u bë publike dhe në të thuhej se të gjitha shpenzimet për vajtjen dhe qëndrimin në këtë vend, do të mbuloheshin nga mikëpritësit.
Dhe kështu ka ndodhur. Ditën e djeshme, dy drejtuesit më të lartë të klubit Vllaznia, administratori Suad Lici dhe drejtori sportiv Engin Firat mësohet të kenë udhëtuar drejt Nigerisë. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë turku i cili përmes një postimi në faqen e tij facebook, njofton praninë e tij atje.
Siç është bërë e ditur pak ditë më parë, klubi shkodran bëri të ditur se “një nga hapat e ardhshëm që kemi ndërmarrë është ai i krijimit të marëdhënieve me klube dhe akademi të huaja siç mund të jenë ato të vendeve afrikane. Krijimi i marëdhënieve të mira me to, do të krijojë mundësinë e gjetjes së lojtarëve të talentuar direkt atje.
Lojtarët e rinj e të talentuar nuk do të vijnë në Shqipëri për t’u provuar. Ky është realiteti! Ne do ta fillojmë këtë projekt nga Nigeria. Dhe e gjitha kjo po realizohet pa kryer asnjë shpenzim nga ana e Vllaznise.
Po përpiqemi që me të ardhurat që kemi, të bëjmë më të mirën për të qenë kampionë të këtij sezoni dhe në të njëjtën kohë po përgatisim një bazë për një të ardhme më të mirë të Vllaznisë”. Tashmë duhet të presim se cilat do të jenë rezultatet e kësaj vizite në këtë vend të dy drejtuesve të lartë kuqeblu.