Pas një jave pa shumë ngarkesë, nga pasditja e së hënës ekipi i Vllaznisë ka nisur përgatitjet për ndeshjen e rradhës, atë që do të luajë të shtunën në Peshkopi ndaj Korabit vendas. Një përballje shumë e vështirë sepse do të luhet ndaj një kundërshtari të motivuar maksimalisht i cili në dy ndeshjet e fundit ka mundur dy prej rivalëve, Dinamon në Tiranën dhe Besëlidhjen në fushën e tyre.
Korabi aktualisht ka 14 pikë dhe kërkon të futet sërish në lojë për të pretenduar fillimisht pesëshen e parë dhe më pas, pse jo edhe kreun e renditjes. Në rast se mund edhe Vllazninë kjo gjë bëhet më e mundshme sepse diferenca do të ngushtohej në vetëm 5 pikë dhe pas përgjysmimit të tyre, kuptohet që gara do të hapej.
Megjithatë shkodranët nuk do ta lejojnë këtë gjë. Ata kanë nxjerrë mësimet e duhura nga sfida e kaluar me Ilirinë që rregjistroi edhe humbjen e parë për ta në kampionat. Drejtuesit e klubit në analizën që kanë zhvilluar me ekipin u kanë kujtuar futbollistëve se detyra e tyre është për ta ngjitur Vllazninë në Superligë dhe për këtë nuk duhet të ketë asnjë justifik.
Sa i takon përgatitjeve, gjatë këtyre ditëve do të shihet edhe gjendja e mbrojtësit Malota nëse e ka lënë përfundimisht pas dëmtimin që ka patur apo jo. Prania e tij në fushë të shtunën do të ishte një garanci më shumë për rezultatin pozitiv sepse me përvojën që ai ka, do ta ndihmonte shumë skuadrën.
Fusha e Peshkopisë konsiderohet një nga më të vështirat e kategorisë së parë ndërkohë që shpeshherë ekipet kundërshtare janë ankuar edhe për arbitrime të njëanshme në favor të vendasve, siç ndodhi edhe me Besëlidhjen javën e kaluar. Tek Vllaznia janë duke u përgatitur për të gjitha këto sepse do synohet me çdo kusht fitorja.