“Vllaznia e sheh Europën nga Kupa”, trajneri Mirsad Jonuz i kënaqur pas kualifikimit në Vlorë dhe tregon objektivin…

Trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz është parë të jetë i kënaqur pas fitores dhe kualifikimit ndaj Flamurtarit. Në prononcimin e dhënë për mediat pas ndeshjes, ai ka deklaruar se kupa është një mundësi e mirë për Vllazninë që të shkojë në Europë.

“Ishte një ndeshje e vështirë pasi sfida e parë ishte mbyllur në barazim 2-2. Ndeshja e dytë luhej jashtë dhe duhej shumë punë për ta hapur rezultatin. Për mua, pjesa e parë ishte më e mirë. Kishim dy- tre aksione të mira dhe pastaj morëm një penallti. Patëm shansin të shënonim edhe golin e dytë pa u mbyllur ende pjesa e parë por nuk e bëmë. Megjithatë e gjetëm në pjesën e dytë dhe aty ndeshja mbaroi.


Çfarë të them për Flamurtarin? Ka akoma lojtarë të rinj dhe në 30 minutat e para kanë bërë më shumë pasime, por pas penalltisë ne e kontrolluam lojën. Për mua ky është një kualifikim shumë i rëndësishëm, pasi sfidën e rradhës në kampionat e kemi përsëri jashtë me Teutën.

Është një shans i mirë të shkojmë në Europë përmes Kupës. Tani duhet të harrojmë çdo gjë dhe të punojmë e të jemi të përqendruar tek sfida me Teutën të dielën”.