Bëhet realitet një tjetër premtim i presidentit të ri të basketbollit të Vllaznisë Alban Xhaferi. Pas ardhjes së trajnerit kroat Neven Plantak, sot kanë mbërritur në Shkodër edhe tre basketbollistët amerikanë që ai kishte premtuar.
Ende nuk dihen emrat dhe pozicionet ku ata luajnë, por tashmë është realitet që këta tre lojtarë do të luajnë me Vllazninë në pjesën e mbetur të sezonit.
Tre amerikanët sapo kanë mbërritur në qytetin tonë, menjëherë kanë kërkuar të shohin pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Aty ku janë pritur nga drejtues të ekipit dhe nga pjestarët e tjerë të Vllaznisë.
Madje, punonjësi i vjetër i klubit dhe njëkohësisht tifozi i zjarrtë i këtij ekipi- Fejzi Bajri, nuk ka ngurruar të bëjë edhe një foto me tre amerikanët.
Skuadra shkodrane kësisoj ka nisur të plotësohet. Tashmë mbetet edhe ardhja e dy shkodranëve Ervin Berdica dhe Herion Faslija që janë aktualisht pjesë e ekipeve të tjera dhe me to, ekipi pritet të jetë i plotësuar dhe të nisë rrugëtimin për të siguruar fillimisht qëndrimin në kategori.