
Fitorja ndaj Tiranës ka treguar forcën reale të Vllaznisë. Për këtë është i bindur ish-trajneri i të dy këtyre skuadrave Astrit Hafizi, i cili në “Zona Gol” theksoi se kjo sfidë ishte ajo që kishte nxjerrë në pah cilësitë e vërteta të shkrodranëve.
Hafizi rreshtoi disa veçori që e kishin tërhequr nga ndeshja e sotme, por paralajmëroi se ishte herët që të flitej për gjëra si titulli kampion pas vetëm tre javësh në Superiore.
“Mendoj se skuadra dha një garanci që është ndryshe nga herët e tjera. Përballë kishte kampionen në fuqi se në ndeshjet e para ndoshta po e quaj të favorizuar se luante me një kundërshtar të ardhur nga Kategoria e Parë apo Skënderbeu i shkatërruar.
Por sot dha provë të fortë dhe mendoj se skuadra është në rrugë të mbarë. Pat gjallëri në lojë sot si dhe ritëm. Tirana mendoj që reagoi mirë pas pësimit të golave e bëri që loja të ishte në nviel të lartë për të dy ekipet. Vllaznia kishte në plus edhe nga ana fizike, ishte në lojë më mirë.
Asnjëherë Vllaznia nuk e ka pasur këtë ndryshim, më duket ndryshe. Është shpejt për të folur e për të kërkuar për kampion. Kjo është një skuadër që ka pasur probleme vitet e fundit e po riorganizohet dhe më vjen mirë që këto javë kanë marrë 9 pikë me tre fitore.
Vendi i dytë është 4 pikë mbrapa, askush nuk ka bërë as dy fitore. E kundërta është Kukësi që ka bërë shpenzime të jashtëzakonshme dhe është në vend të fundit”, deklaroi Hafizi. /vipsport/