Ndriçim Shtubina flet pa doreza për Vllazninë. Mesfushori me tipare sulmuese mendon se kjo skuadër deri më tani ka treguar se nuk është më e mirë se ajo që ishte deri në dhjetor të vitit 2019. Në një intervistë për gazetarin Admir Uruçi, shkodrani preku disa nga temat më të nxehta te kuqeblutë, ndërsa sqaroi edhe pse ekipi shprehet më mirë në transfertë, ndërsa në ndeshjet në shtëpi ka lënë shumë pikë.
Vini pas një fitoreje 4-0 ndaj Luftëtarit, por në fushë nuk ishte aq e thjeshtë deri kur shënuat golin e dytë…?
Ishte një ndeshje e sikletshme për ekipin tonë, sepse edhe në fazën e parë Luftëtari na ka marrë një barazim në Shkodër. Kishim presionin e pikëve dhe kjo ndoshta ndikoi që ne të mos shkonim shpejt te goli i sigurisë.
Është kjo skuadër më e fortë se ajo e pjesës së parë të sezonit?
Për momentin nuk e shikoj më të fortë. Më të fortë e shikoj Vllazninë që mbylli pjesën e parë të sezonit. Gjithsesi, sulmuesit e afruar dhe veçanërisht ardhja e Zhunior, mendoj se e kanë forcuar skuadrën. Por, sërish humbin shumë raste para portës dhe kjo ka ndikuar edhe në rezultate. Ne duhet t’i marrim ndeshjet me radhë për të mos rrezikuar dhe më pas për të thënë nëse kjo skuadër e pjesës së dytë është më e fortë sesa ajo e së parës.
Pse mendoni se Vllaznia ka qenë më mirë deri në dhjetor dhe jo tani që ndoshta ka një grup më të kompletuar?
Unë jam prapë i mendimit se Vllaznia deri në dhjetor ka qenë më mirë, pasi ka zhvilluar futboll më të egër dhe më të bukur. Gjithsesi, këto janë oshilacionet e skuadrave dhe ndodhin në futboll. Tani ne duhet që të kapim ritmin, sepse nuk kemi kohë për të humbur.
Pozicionoheni në vendin e tetë, pikërisht në zonën “play out”. E ndieni presionin?
Renditja nuk është aspak e mirë, por gjithsesi janë disa skuadra të ngjeshura me pikë. Mendoj se duke dhënë të gjithë maksimumin, do të ngjitemi që këtë javë. Por, nuk ka më asnjë ndeshje të lehtë. Të gjitha ndeshjet janë të forta dhe të rëndësishme. Ne duhet që të punojmë fort dhe të jemi të përqendruar gjatë gjithë kohës. Kemi humbur disa takime për gabime të vogla, por në fund kanë ndikuar shumë pikë.
Prisni Skënderbeun që është vetëm një pikë më shumë se ju…?
Skënderbeu ka një skuadër shumë të mirë. U ka hapur punë të gjitha skuadrave pretendente, por nëse do të luajmë fort, mund të arrijmë maksimumin me korçarët, ashtu si në dy takimet e para.
Jeni e vetmja skuadër që keni fituar të dyja përballjet ndaj Skënderbeut, për më tepër ju shënuat një supergol në Korçë. Jua shton kjo besimin për një fitore të tretë?
Vllaznia forcat i ka, por futbolli është i paparashikueshëm. Ne kemi humbur disa takime për gabime të vogla, pa harruar edhe gjykimet, por duke e kërkuar vetëm te ne. Ne duhet të korrigjojmë ato gabime të vogla që kanë ndikuar në lënien e disa pikëve. Sa i përket golit, natyrisht kam dëshirë që të shënoj sërish. Por, më shumë se goli do të më kënaqin tri pikët. Dëshira është që të shënoj dhe të fitojmë. Për mua nuk ka rëndësi kush shënon, por të marrim maksimumin.
A ndihet konkurrenca në skuadër pas afrimeve të janarit?
Po, konkurrencë ka dhe kjo i bën mirë ekipit. Ka disa lojtarë që kanë ardhur, që luajnë në disa pozicione. Në fillim ishin pa stërvitje, por tani kanë kapur ritmet e skuadrës.
A ka harmoni te Vllaznia?
Mendoj se ka një harmoni shumë të madhe. Janë të gjithë djem të mirë. Është një grup që ka lojtarë me të njëjtin nivel. Kjo është shumë pozitive dhe më ka ngrohur. Ne mund të kishim edhe më shumë pikë me këtë grup lojtarësh dhe me këtë bashkëpunim që kemi mes njëri-tjetrit. Për këtë më vjen më shumë keq.
Keni marrë më shumë pikë jashtë fushës sesa në Shkodër. Pse mendoni se e keni më të lehtë në transfertë?
Vllaznia këtë vit me sa duket ka të kundërtën. Është e fortë jashtë dhe nuk është ajo që duhet në Shkodër. Në fushën tonë duam të fitojmë me lojë të bukur dhe gola. Kjo me sa duket, nisur edhe nga dëshira që kemi, ka bërë që të gabojmë sa herë luajmë në shtëpi. Duhet që edhe në fushën tonë t’i marrim gjërat me qetësi, ashtu si në transfertë.
Ku e shikoni ekipin në fund të sezonit dhe a i frikësoheni faktit që mund të rrezikoni një ndeshje shtesë për qëndrimin?
Shpresoj që një gjë e tillë të mos ndodhë. Vendin e 8-të besoj se do ta lëmë pas sa më shpejt. Unë shikoj se edhe ekipet që kemi para nesh, nuk janë më të forta sesa Vllaznia. Neve na ka munguar pjesa e eksperiencës dhe e fatit në disa ndeshje dhe momente të lojës.
Mund ta pretendojë skuadra fitimin e Kupës?
Ne duhet që të bëjmë gjithçka për të kapur Europën. Të besojmë deri në fund te Kupa dhe për t’u ngjitur sa më lart në kampionat.
Cili është mesazhi juaj për tifozët?
Këtë vit sa herë që kemi pasur ndeshje të forta në Shkodër, kemi thirrur tifozët, por nuk kemi arritur që t’i gëzojmë. I kemi zhgënjyer ata, por kur kemi mbështetjen e tyre, kërkojmë ta fitojmë takimin me çdo kusht dhe kemi lënë hapësira mbrapa, ku edhe jemi goditur. Me sa duket, kjo është diçka psikologjike që na ndodh. Jemi më të fortë kur qëndrojmë në mbrojtje dhe më pas kemi një sulm gradual. /Intervistoi Admir URUÇI/