VIDEO – Vllaznia arrin fitoren e parë në “Loro Boriçi”për Superligë, Luftëtari pëson poker nga kuqeblutë…

Vllaznia ia ka dalë të rikthehet te suksesi pas katër ndeshjesh që kishte harruar shijen e fitores. Në Shkodër, pavarësisht përpjekjeve, Luftëtari ishte i pafuqishëm për të përballuar vendasit. Kuqeblutë arritën në minutën e 15 të zhbllokonin sfidën falë golit të Sidorenkos. Sulmuesi u asistua nga Ramadani dhe përballë portierit Shala nuk fali duke kaluar të tijtë në avantazh.


Goli i pësuar nuk i tronditi miqtë të cilët provuan në disa momente por pa ia arritur të gjenin rrugën e rrjetës. Kështu, me rezultatin 1-0 u mbyll pjesa e parë e ndeshjes. Fraksioni i dytë i takimit nisi sërish me dëshirën e gjirokastriteve për të realizuar, por Vllaznia u tregua më cinike dhe në minutën e 69 dyfishoi shifrat falë golit me kokë nga Xhunior.

Vetëm tre minuta më pas, miqtë pësuan edhe goditjen finale, ndërsa Kukaj gaboi dhe devijoi gabimisht sferën në rrjetën e tij me Vllazninë që festoi golin e tretë. Në minutën e 82, shkodranët realizuan edhe golin e katërt me Xhunior, për të cilin ishte goli i dytë personal në këtë sfidë. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund, teksa kuqeblutë tashmë parakalojnë Skënderbeun dhe ngjiten në vendin e shtatë. Ndërkohë, Luftëtari mbetet në vendin e parafundit me shpresa minimale për të mbijetuar.

Formacionet zyrtare:

Vllaznia: Efremov, Gligorov, Shehi, Adili, Marku, Krymi, Ramadani, Bardulla (Kruja), Lika, Sidorenco, Silvio Junior Trajner: Mirsad Jonuz

Luftëtari: Shala, Demo, Lala, Isufi, Kukaj, Dragoshi, Dushkaj, Açka, Oshafi, Çela, Mehmetllari (Çelaj) Trajner: Nikolin Çoçlli

Gjyqtar kryesor: Kreshnik Bajramaj

KV: Shehi, Bardulla, Adili, Kruja/ Mehmetllari, Açka