
Monika Kryemadhi është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këto ditë. “Jam në Los Angeles me kushërirën time të bukur. Po hamë mëngjes bashkë”, dëgjohet duke thënë këngëtarja Bebe Rexha në një video, duke patur në krah pikërisht Kryemadhin.
Ndërsa vazhdon procesi i ankimimeve të Opozitës, PD dhe LSI për procesin zgjedhor të “25 prillit”, vizita e shefes së “opozitës së vogël”, tingëllon e çuditshme. Do të ishte normale që ajo të ishte në krye të LSI- së, mbase edhe në takime me strukturat, siç po bën këto ditë Lulzim Basha. Vizita e beftë e Kryemadhit në SHBA do të konsiderohej jo normale nëse ajo do të ishte për relaks pas ngarkesës së akumuluar nga zgjedhjet. Në dritën e zhvillimeve të ditës së sotme, mbase ishte një vizitë “pune” apo edhe alibie…
Shpallja “non grata” e Berishës dhe familjarëve të tij nga Sekretari i Shtetit i SHBA- së, me shumë mundësi ishte e paralajmëruar dhe në qarqet e larta të politikës shqiptare, dihej. Sipas gjasave, indicie ka patur edhe vetë Berisha, natyrisht edhe liderë të tjerë politikë e institucionalë në vend.
Gjykoj se Berisha nuk është shenjestra e asaj që është thënë nën zë prej muajsh e vitesh. Sot ai është një 77 vjeçar, me asnjë pozicion apo ndikim të veçantë as brenda vetë PD- së. Privilegjet e vetme të mundshme të tij, nëse i ka akoma, lidhen me pozicionin si ish- president i vendit. Sot, ai është thjesht një deputet i zgjedhur me 25 prill, i cili nuk e ka për gjë edhe të heqë dorë nga mandati, siç po qëndron prej gati dy viteve e gjysmë pa mbrojtjen e imunitetit parlamentar.
Ka indicie të forta, edhe publike se shenjestër radhës do të jetë dikush tjetër. Vetë Presidenti i Republikës e deklaroi në studio televizive se është kërcënuar/shantazhuar nga ambasadorja amerikane Kim. Nga ana tjetër, deklarata e sotme e DASH nënvizonte në një paragraf të saj: “Për më tepër, retorika e tij (Berishër) tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve anti-korrupsion dhe masave të përgjegjësisë. Me këtë përcaktim, unë po rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”.
Këto vite, lidhur me “aleatët politikë” të mbrojtur nga Berisha, janë dy: Fatmir Mediu lidhur me çeshtjen e Gerdecit (që është rihapur për hetim) dhe Ilir Meta për “bllokun 700 mijë”, çështje që në fakt është ezauruar me vendim gjykate nga drejtësia shqiptare. Me shumë mundësi, shenjestra e vertetë është njëri nga të dy ose të dy bashkë. Për Metën, është pak më e vështirë si President në detyrë i një vendi. Përveç se, nëse i shkohet deri në fund shkarkimit të tij, fillimisht nga Kuvendi e më pas nga Gjykata Kushtetuese.
E nëse shihet në këtë këndvështrim, vizita e Monika Kryemdhit në SHBA këto ditë, merr një kuptim të qartë… Sepse është bashkëshortja e Ilir Metës! Shpallja “non grata” e Berishës, mbase edhe e Metës apo Mediut e ndokujt tjetër, nuk është aspak lajm i mirë. Natyrisht, dëmton imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare sepse bëhet fjalë për ish- presidentë, ish- kryeministra, ish- ministra e presidentë aktualë, nëse është vendosur që “urugani” të vazhdojë. Sot duket se kryeministri Rama është solid, fitimtar, aleat i SHBA- së. Mund të jetë por është i përkohshëm, për momentin, për këtë pjesë të rrugëtimit. Problemi është se kur është vendosur “të hapen letrat”, çeshtje kohe. Por dhe misioni të marrë përsipër.
Zgjedhjet e 25 prillit, e mbajtën faktor Ramën. Ndërkohë, shpallja “non grata” e Berishës dhe ajo e mundshme për Metën, Mediun apo dikujt tjetër po nga ky krah i politikës, mund të kërkojnë balancim për besueshmëri. Sipas gjasave, SHBA do ta ruajë. Aq më shumë kur “kush është i pamëkat të hedh gurin e parë”, nuk i përshtatet krahut tjetër. Atij të mëngjër. /Shënim i ShkodraWeb/




