Sot, gjatë gjithë ditës po njoftohem nga kolegë sindikalistë, nga mësues të nderuar të Qarkut tonë, se ka filluar me “zell” të paparë “zbatimi” i udhëzimit 13, të këtij viti të Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë nga ana e drejtorëve të shkollave.
U bëj më dije dhe u kërkoj të gjithë mësuesëve anëtarë të Aleancës Sindikale që të kontaktojnë me përfaqësuesit tanë në çdo shkollë dhe këta të fundit çdo shqetësim të tyre të na e përcjellin të shoqëruar me faktet dhe dokumentacionin përkatës.
Drejtorëve të shkollave u kërkoj të jenë më të përmbajtur në veprimet që po bëjnë, se asnjëri nuk do ta kalojë lehtë këtë situatë që po krijojnë me kolegët e tyre, pasi janë në shkelje të plotë të ligjit, pa zbatuar së pari ata vetë procedurat e emërimeve të tyre në atë detyrë.
Atyre kolegëve që mendojnë se do shpëtojnë, në kurriz të fatkeqësisë së shokëve u them se është e turpshme të mendojnë, gjykojnë dhe veprojnë kaq cekët. Kështu që të solidarizohemi të gjithë së bashku dhe t’i dalim Zot njeri-tjetrit dhe së ardhmes tonë.
Zyrave vendore arsimore u kërkoj të menaxhojnë mirë situaten, sepse do përballen në mënyrë të drejtpërdrejtë me mësuesët dhe strukturat e Aleancës Sindikale. Këtë e keni provuar në një mënyrë më të paqtë, por mendoni mirë kur të nxirrni në rrugë mësuesët që edhe kështu siç janë, janë mjaft të pavlerësuar.
Nëse ju, si struktura të Piramidës arsimore dëshironi ta filloni me bojkot këtë vit të ri shkollor, përgjegjësia është e juaja. /Postuar në Facebook nga kryetari i SPASH Arjan PERAJ/