Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, si rezultat i shtimit të kontrolleve, si në hyrje dhe në dalje, më qëllim kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që mbajnë sende të kundërligjshme me vete, kanë kaluar për kontroll më të imtësishëm, valixhen e shtetasit Renato Hajmeli, i cili ishte nisur nga SHBA për në Shqipëri.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në valixhen e këtij shtetasi, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe 125 fishekë.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Rinas u arrestua në flagrancë shtetasi Renato Hajmeli, 51 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Armëmbatja pa leje”.