
Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit Hysni Ymeri, bazuar në provat e siguruara, u finalizua operacioni policor i koduar “SHADOWS”.
Në kuadër të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
-Gerti Bushati, 27 vjeç
-Ergys Ibrahimi, 27 vjeç
-Edison Hasaj, 25 vjeç
-Gjergji Zefi, 24 vjeç
Ndalimi i tyre u bë pasi ka dyshime të bazuara dhe të mbështetura në prova se këta shtetas, kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi Hysni Ymeri.
Gjatë veprimeve procedurale, kontrolleve të vendeve dhe ambienteve, si dhe kontrolleve personale, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provave materiale: 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike, një sasi lënde kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop.
Vijon puna për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj, si dhe sqarimin e motiveve.




