Rreth orës 00.15, një vatër zjarri e qëllimshe është shfaqur në malin e Taraboshit. Gjatë gjithë natës dhe deri në këto momente, po punohet për shuarjen e flakëve. Zjarri i qëllimshëm, ka vënë në rrezik serioz banesa dhe njësi shërbimi.
Që në momentin e parë, janë angazhuar tre mjete zjarrëfikëse të MZSH Shkodër dhe 17 efektivë, 7 punonjes të AdZM- së si dhe banorë të zonës dhe të njësive të shërbimeve. Zjarri ka qenë i përmasave të mëdha, shumë i vështirë për tu neutralizuar.
Vetëm në këto momente jemi drejt shuarjes së plotë të kësaj vatre zjarri. Është një situatë shumë e vështirë me të cilën po përballen efektivët e MZSH Shkodër. Në këto kushte, është e domosdoshme që Policia e Shtetit, Prokuroria dhe agjensitë e tjera ligjzbatuese, të bëjnë të mundur verifikimin e ngjarjeve të tilla të rënda, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që dëmtojnë pyjet tona. Zjarrëvënia e qëllimshme jo vetëm dëmton rëndë mjedisin natyror, por kërcënon sigurinë dhe jetën e njerëzve.
Bashkia e Shkodrës ka një thirrje për të gjithë, duke parë që në ditët e fundit në Shkodër, ne jemi përballur me situata jashtëzakonisht të vështira për t’u menaxhuar, të cilat i kemi kaluar fatmirësisht me sukses. Por kjo nuk mjafton dhe kontributi i institucioneve ligjzbatuese, hetimore që vënë përgjegjësit para përgjegjësisë, është i domosdoshëm.
Bashkia Shkodër do t’i drejtohet Prefektit të Qarkut të Shkodrës, Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Prokurorisë për të kërkuar hetimin e domosdoshëm për shkaktimin e dëmit në menyrë të qëllimshme në malin e Taraboshit, në pyjet dhe zonat e banuara.