
Gjatë vizitës së saj ditën e premte në Shkodër, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka inspektuar edhe punimet në rrugën panoramike Zogaj- Shirokë. E shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Enegjisë Enea Karakaçi, zëvendëskryetari i Bashkisë Shkodër Rudin Beka, drejtori i përgjithshëm i FSHZH- së Dritan Agolli dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skender Hitaj, Koçiu ka parë nga afër ecurinë e punimeve, duke u ndalur edhe tek mundësia e lidhjes me Malin e Zi, me një pikë tjetër kufitare për Shkodrën.
Rruga Zogaj- Shirokë, me përfundimin e saj, pritet të ketë ndikim në zhvillimin e mëtejshëm të zonës, një nga më të bukurat jo vetëm të Bashkisë Shkodër por edhe të Veriut e më gjërë. Projekti parashikon mundësi lëvizjeje jo vetëm për mjetet motorike por edhe përdoruesit e biçikletave dhe amatorët e shëtitjes në natyrë, duke kundruar bukuritë e Liqenit të Shkodrës dhe të kodrave përballë tij.




