
Vllaznia shkon në +5 në krye të Abissnet Superiore. Kuqeblutë kanë mundur në “Loro Boriçi” Teutën e Durrësit dhe sërish 3 pikët mbajnë firmën e Kevin Dodaj, i cili arrin në 4 gola në 9 ndeshje.
Goli vjen nga Dodaj në minutën e 43- të, pasi u shfaq në kohën dhe në vendin e duhur në zonën e durrësakëve. Edhe në pjesën e dytë nuk munguan rastet, teksa dhe Teuta kërkoi më shumë golin e barazimit. Vlen të theksohet se pas daljes me të kuq nga Jazxhi në minutën e 65-të, Vllaznia ishte në epërsi numerike por nuk e shfrytëzoi për të rritur avantazhin.
Me këtë fitore kuqeblutë shkëputen në +5 në krye të renditjes, teksa Egnatia u mund sot nga Tirana dhe Elbasani do të luajë të hënën me Partizanin.




