
Vllaznia shënon 3 gola në 15 minuta duke shkurtuar dizavantazhin nga 0- 4 në 3-4 por vetëm kaq. Kuqeblutë eliminohen nga Kupa e Shqipërisë nga Dinamo, e cila në “Loro Boriçi” barazoi në ndeshjen e parë 0- 0.
Deri në minutën e 71- të, çdo gjë foli për Dinamon, teksa shënon 4 herë në portën e Vllaznisë, një prej golave me 11- metërsh pas një gabimi të portierit Jukaj.
Zëvendësimet e Brdaric japin rezultat dhe goli i parë i Grudës vjen pikërisht në minutën e 71. Kalojnë 8 minuta dhe Balaj shënon të dytin për Vllazninë në zonë, me një goditje me kokë.
Në minutën e 85- të u duk se goli i Kahrimanoviç hapi ndeshjen. Por as 6 minutat shtesë nuk sollën fat për Vllazninë e cila i thotë lamtumirë trofeut të parë.
Përqendrimi maksimal në ndeshjen e fundit për Superligën në Shkodër. Nëse nuk do të ketë ndonjë “bamrësi”, Vllaznia duhet të mundë Laçin me një këmbë në kategorinë e parë, duke siguruar vendin e dytë dhe privilegjin e 2 nga 3 rezultatet e mundshme në “Final 4”, ku me gjasë do të ketë përballë sërish Dinamon në gjysmëfinale.