
Në fakt, thuhej pothuajse me zë të lartë në ambjentet sportive dhe ashtu ndodhi: Vllaznia “nuk ndezi” as me Tiranën, pavarësisht se “Klasikja” ka motivuar gjithnjë kuqeblutë. U regjistrua humbja e radhës, në atë që mund të konsiderohet estrada e fund kampionatit, me rezultate të paparashikueshme.
Ngushëllimi i vetëm është se edhe Elbasani, u mund nga Bylis, që bashkë me Tiranën tashmë kanë 41 pikë dhe janë shumë pranë shpëtimit. Duke u kthyer tek ndeshja Tirana- Vllaznia, goli erdhi me 11- metërsh në minutën e 13- të nga Rafa.
Vijimi i ndeshjes ishte përkujdesje e Vllaznisë për të mos rrezikuar Tiranën me lojën e sulmet e saj, duke krijuar imazhin e një ekipi që me dëshirë i nënshtrohet humbjes. Por jo vetëm kaq, Mala dhe Bajrami dolën me të kuqe, duke munguar në ndeshjen e fundit me Flamurtarin. Me gjasë, tek kjo ndeshje mbase mund të vijë ndonjë pikë për Vllazninë në Shkodër, meqë nuk u përmbushën “parashikimet” dhe Flamurtari nuk mundi dot Teutën. Vllaznia mund të rikthehet vetëm në ndeshjet e Final 4.




