
Vllaznia ka lënë shpejt pas krahëve zhgënjimin e humbjes me Egnatian, pasi ka siguruar një fitore të rëndësishme në transfertë me shifrat 3-1 përballë Teutës.
Gjithçka ishte meritë sidomos e një pjese të parë, ku shkodranët vunë në vështirësi të vazhdueshme prapavijën e durrsakëve, të ndëshkuar që në minutën e dytë me Malën.
Dodaj fitoi penalltinë që e ktheu në gol Balaj e më pas vetë talenti shkodran goditi shtyllën, me vendasit që u zgjuan vetëm në fundin e fraksionit të lojës.
Në pjesën e dytë, një gol spektakolar i Dodajt thelloi diferencën për shkodranët. Por Teuta provoi të reagonte dhe pasi gjeti një gol të bukur me Beshirajn, u mundua të shtynte më shumë para drejt sulmit.
Megjithatë, rreziqet para Jukajt nuk ishin të shumta dhe kështu shkodranët siguruan tre pikë që i bëjnë të hedhin hapa të rëndësishëm në renditje. Kurse durrsakët, kthehen të shohin edhe një herë hijet e zonës së ftohtë të renditjes dhe luftës për mbijetesë.