
“Vllaznia nuk ka vazhdimësi sepse duhet të rritet psikologjikisht”, ka deklaruar trajneri Mirel Josa në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të ndeshjes për Superligën me Bylis në Shkodër.
Tekniku kuqeblu ka evidentuar lojën e mirë të bërë në disa ndeshje nga ekipi i tij por edhe oshilacionet në ndeshje të tjera. Ai ka theksuar se ulje- ngritjet në Superligë janë normale, ndërsa ka theksuar se ka në dispozicion 20 lojtarë për kampionatin.
Pavarësisht se e ka përmendur fjalën “fitore”, ai është treguar i matur për rezultatin, ndërsa ka nënzizuar se Bylis është një ekip i mirë dhe mjaft i konsoliduar, gjë që e ka treguar përgjatë këtyre javëve.
Josa ka komentuar edhe grumbullimin e futbollistëve të Vllaznisë për miqësoren e Kombëtares në Arabinë Saudite, duke thënë se do të ketë ndikim tek kuqeblutë sepse do të jetë udhëtim i gjatë brenda një jave.
Tekniku kuqeblu ka folur edhe për deklaratat e presidentit të FSHF- së Duka se “Edhe Josa mund të jetë kandidat për Kombëtaren”. Josa ka thënë se ndjehet i vlerësuar, por ka një kontratë me Vllazninë si trajner i saj.




