
Vllaznia është një hap larg titullit të 10- të kampion! Kuqeblutë kanë kaluar jo pa vështirësi Dinamon në gjysmëfinalen e parë të “Final 4”. Kuqebluve, falë renditjes së Supërligës i mjaftonte edhe barazimi për të kaluar në finale. Në fakt, falë dy penalltive, të kthyera në gol nga Bekim Balaj, doli nga ndeshja me fitore.
Pas një goditje këndi, në minutën e 28- të, Mandela prek sferën me dorë në zonë e bluve. Hamiti nuk ka dyshime dhe bën shenjë nga pika e bardhë për penallti dhe Balaj nuk gabon duke e kthyer në gol.
Tjetër penallti për Vllazninë në minutën e 35- të. Këtë herë është Meksi me dorën e hapur në zonë. Hamiti heziton, por pasi sheh pamjet me VAR bën shenjë nga pika e bardhë dhe Balaj sërish nuk gabon.
Në pjesën e dytë, Vllaznia bie ndjeshëm në lojën e saj dhe Dinamo përfiton. Vila nis Mandelën në zonë dhe sulmuesi i vetëm para Jukajt nuk gabon. Protesta të shkodranëve pasi në ato momente kishte një top tjetër në zonë.
Tashmë Vllaznia pret të njohë kundërshtarin e finales që do të dalë nga ndeshja Egnatia- Partizani, e cila luhet të hënën. Finalja e madhe do të luhet në “Arena Kombëtare” me 12 maj, ku do të njihet edhe kampioni i ri i Shqipërisë në futboll.