9 gola në një ndeshje ku ka patur çdo gjë por që asnjëherë nuk u vu në dyshim fitorja e Vllaznisë me Dinamon në këtë ndeshje të fundit të javës. Vllaznia merr tre pikë dhe ngjitet në vendin e dytë në renditje vetëm dy pikë larg Tiranës. Dhe të mendosh se jo çdo gjë nisi si duhet për Në “Loro Boriçi” kalojnë të parët në avantazh miqtë me anë të Ibrahimit në minutën 5- të.
Janë dashur të kalojnë 11 minuta që Vllaznia të vendosë barazpeshën. Pas një krosimi nga këndi për vendasit, Diagne i lënë vetëm në zonën e Dinamos, nuk e ka të vështirë ta shtyjë topin në rrjetë.
Vllaznia “merr zemër” dhe luan më mirë se Dinamo. Në sajë të kësaj epërsie të krijuar dhe presingut, gjen edhe golin e përmbysjes. Pas një zbritje në shkallë të gjërë, Latifi gjen në zonë me një asist Gjurgjeviç, i cili kalon topin mbi portierin dhe shënon golin e dytë për kuqeblutë.
Pjesa e dytë dhuron edhe 6 gola të tjerë, ku spikat goli spektakolar i Fjoart Jonuzit. Megjithatë, në minutën e 55- të shenon Aralica pas një goditje nga këndi ku sulmuesi kuqeblu kërcen më lart se të gjithë duke bërë topin të pushojë në rrjetë.
Në minutën e 67- të Dinamos i vjen në ndihmë sistemi VAR. Një kontakt në zonë i Ibrahimit me Diagne, konsiderohet 11- metërsh, i cili kthehet në gol po nga ai që e fitoi të drejtën e goditjes.
Por në fushën e lojës vijon të jetë Latifi, i cili bën një inkursion nga krahu i majtë dhe dërgon një top fiks në këmbën e Aralicës, i cili shënon përsëri, goli i dytë për këtë ndeshje.
Dy minuta më vonë, ndërsa Vllaznia pretendonte për një goditje dënimi në favër të saj në mesin e fushës, dinamovitët vazhdojnë lojën me lojtarin e Vllaznisë të dëmtuar dhe Skuka nuk e ka të vështirë të shënojë nga afër me kokë pas një krosi nga e djathta e sulmit të Dinamos.
Por Fjoart Jonuzi kishte ruajtur një perlë në minutën e 83- të. Goditje nga këndi për Vllazninë, portieri dinamovit grushto dhe topi arrin afër harkut të zonës së rreptësisë dhe Jonuzi lëshon një flurudhë e cila ndalet vetëm nga rrjeta. Një supergol!
Arbitri Meta jep 6 minuta shtesë dhe në 30 sekondat e fundit të saj, ka kohë edhe për një gol të 6- të për Vllazninë. Mustenadagiç i fitur si zëvendësues, shënon një gol në diagonale duke mbyllur në mënyrën më të bukur këtë ndeshje.
Vllaznia është e frikshme, ndoshta me sulmin më të mirë rë Superligë. E kështu kompenson edhe disa mangëri në repartin e mbrojtjes që mbase duhen riparuar. Tashmë është përballja me Kukësin, në letra mjaft e fortë. Por kjo Vllazni është vertetë e frikshme, sidomos kur është në formë Latifi dhe në krahun e majtë është “motori” Hakaj.