
Vllaznia është rikthyer tek fitorja atëherë kur duhej, për të barazuar me pikë rivalin direkt për vendin e dytë, Dinamo, por edhe për të treguar forcën në prag të “Final 4” për superligën shqiptare.
Në “Loro Boriçi” u zhvillua një ndeshje pa shumë histori, edhe pse përballë ishin dy sulmet më të mira të Superiores. Goli i parë për kuqeblutë mban firmën e Qatos, i cili godet nga brenda zonës në minutën e 26.
Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat, teksa në të dytën përsëri protagonist është Qato. Ai i jep një asist perfekt Dodaj, i cili “i vjedh” topin mbrojtësit të Dinamos dhe e dërgon të rrjetë në minutën e 63.
Vllaznia ka kohë edhe për një gol të tretë, duke rikthyer si golashënues kapitetin Bekim Balaj. Gruda, i futuar si zëvendësues, pengohet në zonë dhe akordohet penallti, të cilën e kthen në gol Bekimi i Vllaznisë.
Dy ndeshjet e fundit Vllaznia i luan me Elbasanin jashtë dhe mbyll Superligën në “Loro Boriçi” me ndeshjen me Laçin, të cilin vetëm matematika e mban akoma në Superiore.