
Vllaznia arriti të triumfonte në transfertë ndaj Bylisit në sfidën e vlefshme për javën e 33-të. Tre pikë të rëndësishme për shkodranët e Brdariç, që iu falën golit të Albion Avdijajt, në një transfertë mjaft të vështirë si ajo e “Adush Muçës”.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta në pjesën e dytë, ballshiotët e Dovedan, nuk arritën të dilnin me pikë nga ky takim. Me këtë rezultat, mbijetesa është ndërlikuar ndjeshëm për Bylisin, që duket se do të luajë gjithçka për gjithçka në përballjen ndaj Kastriotit.
Ndërkohë, Laçi dhe Skenderbeu e kanë mbyllur në paqe, teksa Vllaznia barazon laçianët me 57 pikë në vendin e tretë. Teuta e Edi Martinit nuk ndalet, duke mundur në transfertë Kastriotin me “djemtë e detit” sërish në krye. Kukësi ka zyrtarizuar me tregolësh rënien e Apolonisë nga Superliga ndërsa në darkë luhet derbi Partizani- Tirana.




