
Vllaznia ka shënuar humbjen e dytë në po kaq ndeshje në “Final 4”. Pas Dinamos, kuqeblutë i ka mundur edhe Egnatia, duke sanksionuar “larjen e duarve” me titullin kampion, edhe pse matematika i mban akoma në lojë.
Kryeziu kroson dhe Sota dërgon topin në rrjetë për golin e parë të Egnatias, teksa portieri shkodran Pohls bën një hedhje të kotë në kërkim të bllokimit të topit.
Pjesa e parë përfundon me këtë rezultat, ndërsa në pjesën e dytë, në minutën 77 vjen goli i përkohshëm i barazimit për Vllazninë. Qato rikthen baraspeshën me kokë, pasi fillimisht Murataj goditi shtyllën.
Barazimi ka zgjatur vetëm 11 minuta. Adjesa rikthen kampionët në avantazh me një goditje me kokë, ndërsa regjistrohet kaos mes dy pankinave të Vllaznisë dhe Egnatias, ku Aleksi merr të verdhin e dytë dhe largohet nga fusha.
Me këtë humbje, vetëm matematika mban në lojë Vllazninë, e cila ndeshjen e fundit e luan të shtunën tjetër me Elbasanin. Por nesër, Elbasani luan me Dinamon dhe mund të barazohet me pikë me Egnatian nëse fiton.




