
Vllaznia dhe tifozët kuqeblu duhet të presin akoma. As pas 24 viteve, titulli kampion i Superligës nuk vjen në Shkodër. Kuqeblutë u mundën thellë në ndeshjen finale të “Final 4” nga Egnatia, duke bërë një nga paraqitjet më të dobëta të sezonit.
Ndeshja nisi me gol nga Egnatia në minutën e 7- të, pas një gabimi në rreshtim të mbrojtjes kuqeblu. Sulm i shpejtë i rrogozhinasve në të djathtën, Bakajoko shmang Stojanoviç dhe pason te Lushkja i cili e ka të thjeshtë të shënojë.
Vazhdimi i pjesës së parë, ishte për të treguar një nga ndeshjet më të dobëta të shkodranëve në këtë sezon, duke mos rrezikuar asnjëherë Egnatian, me përjashtim të një shtylle të goditur nga Balaj në një goditje standarde.
Në pjesën e dytë, dukej se Vllaznia po kërkonte më shumë golin. Por pikërisht në këtë moment, ndëshkohet sërish. Aksion perfekt i rrogozhinasve në të djathtën, harkimi në qendër gjen Lushkjen i cili me kokë shënon golin e dytë.
Trajneri i Vllaznisë Brdaric realizon 5 zëvendësimet në dispozicion, por përsëri kuqeblutë nuk arrijnë të shënojnë. Madje, është Egnatia që gjen edhe golin e tretë të ndeshjes. Aksion perfekt në të djathtën, pasimi në qendër gjen Leo Melon i cili pasi ndalet dy herë nga Jukaj, shtyn sferën në rrjetë.
Në minutat shtesë, ka kohë edhe për një gol të katrët, duke shpartalluar totalisht Vllazninë, me autor të golit Ujkën që shënon nga brenda zonës.
Qartas u pa se Vllaznia nuk e kishte përgatitur si duhet këtë ndeshje, për të mos thënë e kishte nënvleftësuar. Ndërkohë, mijëra tifozë që mbushën “Arena Kombëtare”, u rikthyen të zhgënjyer në Shkodër, përveç se për rezultatin, edhe për lojën e dobët të ekipit të zemrës. Është momenti i riformatimit të krejt ekipit, duke nisur nga trajneri Thomas Brdaric, i cili tashmë nuk mund ti ofrojë më asgjë klubit kuqeblu, sidomos pas kësaj humbje të turpshme, në rezultat dhe në lojë




