
Festa e 107- vjetorit të Vllaznisë u prish fillimisht nga shiu që nuk lejoi koreografi para fillimit të ndeshjes e më pas, thuajse e prishi Elbasani duke ndalur kuqeblutë në një barazim 1- 1 deri në minutën e 95- të. Aty zgjidh gjithçka afrimi i merkator së janarit, Kevin Dodaj duke i dhënë tre pikët shkodranëve, të cilët tashmë shkojnë në +5 nga Egnatia dhe +6 nga Elbasani.
Goli i Bekim Balaj në pjesën e parë, ishte ogur për një festë të madhe për 107- vjetorin. Në minutën e 23- të, kapiteni gjuan me të majtën dhe topi ndalet në rrjetë. Bomberi kuqeblu, kthehet tek goli pas 4 ndeshjeve “thatësirë”.
Në vijim, Vllaznia dha shkëndija të mira spektakli në përdorimin e topit, me pase të shkurtra e të shpejta, duke krijuar raste edhe në pjesën e dytë por goli nuk erdhi. Në minutën e 80- të, Boye, i futur si zëvendësues, gjen golin e barazimit dhe “Loro Boriçi” hesht.
Jepen edhe 5 minuta shtesë dhe Vllaznia rrit ndjeshëm presionin në portën mike. Kanë mbetur edhe 60 sekonda dhe një top i ardhur nga krahu i djathtë, shkon tek Dodaj: Në momentin e duhur dhe vendin e duhur, shtyn topin me sup dhe shënon golin e fitores. Urimi më i mirë: Gëzuar 107- vjetorin Vllazni! Shpresojmë ogur i mirë edhe për rikthimin e titullit pas shumë vitesh mungesë në Shkodër!




