Emërimi i Qatip Osmanit në pankinën e Vllaznisë nuk ka qenë ashtu siç e shpresonte klubi shkodran. Kuqeblutë janë ndalur sot në shtëpi në një barazim 1-1 përballë Erzenit që vazhdon të jetë një nga skuadrat që u krijon më shumë probleme shkodranëve.
Ndeshja në pjesën e parë dhuroi pak emocione, pasi të dy skuadrat ishin më të përqendruara për të mos i lënë hapësira njëra-tjetrës. Ndaj edhe gjuajtja e parë e mirëfilltë në kuadrat, ishte penaltia që i dha avantazhin Vllaznisë me anë të Balajt i cili transformoi saktësisht.
Erzeni reagoi dhe pak nga pak fitoi më shumë hapësira në tentativën për të barazuar rezultatin Megjithatë, goli i shijakasve do të vinte në mënyrë rokamboleske, pasi gjuajta e Zekës u kthye nga shtylla, preku portierin Qarri dhe shkoi në rrjetë.
Një “dush i ftohtë” për shkodranët të cilët ashtu si miqtë, provuan me të gjitha forcat që të gjenin golin e fitores, por me skuadrat që nuk dukeshin në ditën e tyre më të mirë në repartin e avancuar. Kësisoj, ndeshja u mbyll në barazimin 1-1 dhe nuk ndryshon pozitat e ekipeve, të cilat mbeten të rrezikuara pranë zonës së ftohtë.