VIDEO – Vllazni zhgënjyese, kuqeblutë marrin humbjen e parë në Rrogozhinë nga Kukësi…

Zhgënjen Vllaznia jo vetëm në rezultat por edhe në lojë përballë Kukësit. Djemtë e Brdariç kanë marrë humbjen e parë për Superligën, në një ndeshje ku të gjithë lojtarët ishin hija e vetvetes, sidomos krahasuar me ndeshjen me Dinamon në fillim të javës.

Ndeshja e luajtur në “Egnatia Arena”, faktikisht është vendosur nga dy episode. Fillimisht është Shqiprim Taipi që me një goditje jashtë zone, kap “në gjumë” potierin Zogoviç. Me këtë rezultat përfunduan 45 miniutat e para.


Pjesa e dytë ishte e mjaftueshme për të treguar se Vllaznia nuk ishte në ditën e saj më të mirë dhe goli i dytë i Kukësit, përsëri vjen nga një goditje e çuditshme e Ndrecës brenda zonës së kuqebluve. Përsëri Zogoviç sheh që topi i përplaset në tokë, i kalon mbi kokë dhe përfundon në rrjetë.

Në të gjitha drejtimet një ndeshje për tu harruar, një Vllazni e lodhur, pa ide, pa fantazi dhe me asnjë lojtar në formë, megjithëse 5 zëvendësimet e Brdariç. Në fund, edhe një karton i kuq për Mustadanagiç, pak minuta pasi hyri në lojë si zëvendësues.